Rivalë përjetë

- Bota Sot

Rivalë përjetë

Mark Markez foli në emisionin “El Larguero” për rivalitetin e tij me Valentino Rosin, një histori epike që vazhdon ende të prodhojë, ndonëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet pas asaj goditjeje famëkeqe të italianit ndaj pilotit nga Çervera në vitin 2015. “E shoh Rosin pak të fiksuar, si të paaftë ta kalojë atë moment…”, iu drejtua gazetari Manu Carreno kampionit të Moto GP-së. “Jo…”, u përgjigj Markez, mes të qeshurash nga publiku i pranishëm në programin e “Cadena SER”.

Në një bisedë të qetë e të hapur, kampioni aktual i Dukatit foli për rivalitetin me “Doktorin” dhe për faktin që kujtimi i atij episodi vazhdon të jetë i gjallë, pavarësisht viteve që kanë kaluar.

“Arrin një pikë kur njëri e sheh këtë tavolinë të zezë, tjetri të bardhë, dhe dikush tjetër mund ta shohë kafe. Unë e shoh të bardhë”, shpjegoi Markez. “Dhe ndoshta Rosi e sheh ndryshe”, ia ktheu me humor moderatori.

Kur u pyet nëse mendon që Rosi mund të jetë i shqetësuar për mundësinë që Markez të fitojë titullin e tij të dhjetë botëror 7 tituj në vitin 2026 (i cili do të ishte i teti në Moto GP), spanjolli u tregua i prerë: “Nuk besoj, dhe sinqerisht, as që më intereson. Më interesojnë njerëzit që më ndihmojnë të përmirësohem, ata që më shtojnë diçka. Komentet e jashtme do të ekzistojnë gjithmonë, si dhe opinionet, polemikat… është pjesë e spektaklit, pjesë e këtij sporti dhe shitet”.

“Që nga ajo kohë, nuk jemi parë më. Ndonjëherë jemi kryqëzuar në ndonjë pistë, siç është parë… madje as nuk mbaj mend ku ka qenë”, tha spanjolli, përpara se t’i kujtohej një video e shumëpërfolur këtë vit në rrjete sociale, ku Markez dhe Rosi u takuan në ‘pit lane’ pa shkëmbyer asnjë vështrim. “As ndjen, as vuan”, shtoi ai me qetësi. “A do ta përshëndesje nëse do ta shihje?”, nguli këmbë gazetari.

“Jo”, u përgjigj Markezi. “Nuk mund të gënjej. Secili bën jetën e vet dhe me siguri ai nuk ka nevojë për mua, as unë për të.

Por në fund, motoçiklizmi ka nevojë për të dy dhe aty është pika ku bashkohemi”, deklaroi 32-vjeçari. Në fund kur u pyet për ata që ende thonë se “nuk ka pasur asnjë goditje nga Rosi ndaj tij në Sepang 2015”, Markez e mbylli bisedën me të njëjtën metaforë: “Ashtu si tavolina. Kush e sheh të bardhë, e sheh të bardhë. Kush jo, jo. Pamjet janë parë tashmë mijëra herë”, përfundoi piloti spanjoll.



Lexoni të gjitha në Bota Sot