Kombëtarja U21 e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në stadiumin “Dasaki Achnas” të Larnakës, në prag të ndeshjes kualifikuese ndaj Qipros, e cila zhvillohet nesër (14 nëntor) në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë.
Atmosfera në skuadër është tejet pozitive, ndërsa përzgjedhësi Afrim Tovërlani u shpreh i kënaqur me përkushtimin e lojtarëve gjatë fazës përgatitore.
“Atmosfera në grup është shumë e mirë dhe do të jetë edhe më e mirë pas ndeshjes, nëse arrijmë rezultat pozitiv. Fatkeqësisht, gjatë këtyre ditëve Edion Gashi ka pësuar një lëndim dhe është detyruar të kthehet në Gjermani.
Megjithatë, ekipi është i fokusuar dhe i motivuar për sfidën e nesërme”, deklaroi Tovërlani.
Igball Jashari vlerësoi rëndësinë e ndeshjes së nesërme, duke theksuar unitetin dhe besimin brenda grupit:
“Çdo ndeshje është e rëndësishme për ne. Jemi të përqendruar për të marrë 3 pikët. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, kemi lojtarë cilësorë që luajnë në skuadra të njohura dhe besoj në potencialin e këtij grupi për të arritur rezultat pozitiv”.
Ndërkaq, Hekuran Berisha tha se ekipi ka punuar me intensitet të lartë gjatë tri ditëve të fundit dhe është gati për ndeshje.
“Stërvitjet kanë qenë shumë të mira dhe kemi punuar me përkushtim maksimal. Kjo është një shenjë pozitive për nesër”, u shpreh Berisha.
Julond Selmonaj vlerësoi kundërshtarin, por njëkohësisht shfaqi besim në cilësitë e skuadrës:
“Qipro nuk është kundërshtar i lehtë si San Marino, por ne jemi përgatitur mirë dhe besojmë se mund të marrim 3 pikë”.