Agim Ademi: Të priftë e mbara Kosovë

- Bota Sot

Agim Ademi: Të priftë e mbara Kosovë

Shqipëria është në play-off pas fitores së mbrëmshme me rezultat 1:0 ndaj Andorrës, tani pret të mësojë rivalin për të kërkuar një biletë në Kampionatin Botëror në futboll.

Kuqezinjtë e kanë siguruar vendin e dytë në Grupin K dhe e presin sfidën e fundit në Tiranë ndaj Anglisë.

Kombëtarja e Kosovës është para sfidës si finale për vend të dytë në Lubjanë ndaj Sllovenisë e cila luhet nesër në orën 20.45.

Kosova zë vendin e dytë me 7 pikë e ka katër më shumë se Sllovenia në të katërtin.

Agim Ademi, president i FFK-së, beson e shpreson në mrekulli.

“Urime nga zemra Kombëtares së Shqipërisë për kalimin në fazën ‘play-off’ të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. 

Kjo është një arritje që na mbush me krenari të gjithëve. Kuqezinjtë edhe një herë treguan vlerat, karakterin dhe forcën e tyre, duke arritur në fazën ku 16 ekipe do të luftojnë për katër biletat shtesë të Botërorit që verën e ardhshme mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. 

Ndërkohë, sot Kombëtarja e Kosovës udhëton drejt Lubjanës, aty ku shpresojmë ta vulosim edhe ne suksesin historik. 

Optimizmi, uniteti, mbështetja dhe morali janë më të mëdha se kurrë më parë! Energjia e tifogrupit ‘Dardanët’ dhe e mijëra bashkatdhetarëve në Slloveni është shtytësi ynë drejt këtij suksesi.

Nëntori ka qenë gjithmonë muaj i ngjarjeve të mëdha historike për kombin tonë. Prandaj, besojmë fuqishëm se ky nëntor do ta shënojë edhe një tjetër moment të paharrueshëm për shqiptarët, kalimin tonë në ‘play-off’, e pse jo edhe hapjen e rrugës drejt ëndrrës më të madhe, kualifikimit direkt në Botërorin 2026. 

Ëndrra jonë e përbashkët është të shohim të dy krenat e shqiponjës si pjesë të Botërorit 2026! Kjo nuk do të ishte thjesht një arritje e dy shteteve të një kombi, por edhe një mrekulli historike dhe realizim i ëndrrës dhe sakrificës së popullit tonë ndër dekada.

Urime Shqipëri, të priftë e mbara Kosovë!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.



Lexoni të gjitha në Bota Sot