Eder: Nuk e kam duruar kurrë hipokrizinë e Spallettit

- Bota Sot

Eder: Nuk e kam duruar kurrë hipokrizinë e Spallettit

Ndërsa Italia pret të mësojë kundërshtarin në play-off-et e Botërorit, ‘La Gazzetta dello Sport’ ka intervistuar njërin nga protagonistët e barazimit 0-0 në “San Siro” ndaj Suedisë që vulosi dështimin e Italisë së Venturës për t’u kualifikuar: Eder, i cili e ka quajtur atë ndeshje pengun më të madh të karrierës së tij:

“Ai play-off i mallkuar. Faji i të gjithëve, por Ventura nuk ishte koherent. Belotti dhe Immobile luanin edhe kur nuk ishin 100%. Në ‘San Siro’ na tradhtoi presioni. Mund të kisha hyrë në pjesën e dytë: unë dhe Insigne në stol, pastaj ajo skena me De Rossin. Ishim 0-0…”

Me fanellën e Italisë, Eder ka përjetuar edhe Europianin 2016 me Conten trajner:

“Me Antonion kam vjellë. Nxehje, taktikë, palestër, vrapime pa fund. Thosha: ‘Si ia dalim?’. Por pastaj fluturonim… Skemat i përgatisnim dhjetëra herë, si goli i Giaccherinit ndaj Belgjikës. Nëse anësori e merrte topin në një mënyrë, unë dhe Pellé duhej të bënim të caktuarën. Goli ndaj Suedisë ishte magjik. Po të kishim pak fat me penalltitë kundër Gjermanisë, do ta fitonim Europianin.”

Ish-sulmuesi i Empolit dhe Sampdorias foli edhe për periudhën e vështirë tek Interi, zgjedhje që i mohoi kalimin te Leicester-i i Ranierit:

“Do të luaja pas Vardy-t, gjithçka ishte gati. Por Mancini dhe Ausilio më bindën të shkoja te Interi… dhe luajta shumë pak. Leicester-i fitoi kampionatin. Nga gati 90 ndeshje, vetëm rreth 20 i kam nisur titullar, por jam krenar për atë periudhë. Pastaj para meje ishte Icardi.”

Eder foli edhe për ndikimin e Wanda Narës te dhoma e zhveshjes së Interit:

“Ishte e sikletshme, por Mauro ishte i qetë.”

Dhe shpjegoi pa hezitim arsyen e largimit:

“Për Spallettin. Nuk kam duruar kurrë hipokrizinë e tij. Trajner fantastik, por si njeri… më pak.”

Pas viteve në Milano, erdhi transferimi në Kinë:

“Ishe miq me familjen Zhang, por në 2020, pas titullit, të gjithë u zhdukën. Nuk pamë asnjë euro për muaj të tërë.”

Për të ardhmen, Eder ka një ide të qartë:

“Do të doja të bëhesha drejtor sportiv, por për momentin po shijoj familjen. Do të më pëlqente të kthehesha te Sampdoria për t’i mbyllur atje. Ndonjëherë rishikoj golat e asaj periudhe: ç’kohë…”



Lexoni të gjitha në Bota Sot