Zvicra njoftoi të premten se kishte arritur një marrëveshje me SHBA-në për të ulur tarifat amerikane në 15% nga 39%, pas asaj që e përshkroi si diskutime "konstruktive" me Uashingtonin.
"Zvicra dhe SHBA-ja kanë gjetur me sukses një zgjidhje: tarifat amerikane do të ulen në 15%. Faleminderit Presidentit (Donald) Trump për angazhimin konstruktiv", tha qeveria në një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale.
Ajo shtoi se një takim me zyrën e përfaqësuesit tregtar të SHBA-së, Jacques Greer, kishte qenë gjithashtu "produktiv".
Gjatë një konference për shtyp në Bernë, Ministri Zviceran i Ekonomisë Guy Parmelin tha se marrëveshja e re "na vendos në një pozicion të barabartë me Bashkimin Evropian", duke e quajtur atë "një hap të rëndësishëm për kompanitë tona eksportuese dhe për stabilitetin e marrëdhënieve tona tregtare", transmeton AA.
Duke theksuar disa komponentë kryesorë të marrëveshjes, përveç uljes së tarifave, Parmelin tha se produktet që tashmë përfitojnë nga përjashtimet, "farmaceutikët, kimikate të caktuara, ari dhe gjysmëpërçuesit", do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.
Ai tha se Uashingtoni do të garantonte një kufi për hetimet e vazhdueshme të Seksionit 232 duke thënë: "Për hetimet e vazhdueshme amerikane mbi produktet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit, të njohura si Seksioni 232, Shtetet e Bashkuara gjithashtu garantojnë një kufi tarifor prej 15%. Prandaj, rreziku i tarifave shumë më të larta sektoriale eliminohet."
Ministri shtoi se për produktet ku tarifat normale të SHBA-së tashmë e tejkalojnë atë prag, "vetëm tarifa ekzistuese do të vazhdojë të zbatohet" dhe se SHBA-të gjithashtu do të "pezullojnë detyrimet shtesë për disa produkte zvicerane që konsiderohen të rëndësishme, siç janë avionët, ilaçet gjenerike dhe disa produkte të lidhura me aviacionin".
Megjithatë, ai theksoi se negociatat do të vazhdojnë për produkte të tjera si makineritë industriale, alumini ose djathi. "Zvicra do të vazhdojë të punojë për të zgjeruar këtë listë koncesionesh", tha ai.
Nga ana e Zvicrës, sipas ministrit, Berna "do të ruajë mungesën e tarifave për mallrat industriale amerikane".
"Përveç kësaj, Këshilli Federal ka vendosur të eliminojë tarifat për peshkun dhe ushqimet e detit amerikan, si dhe për disa produkte bujqësore ekzotike ose jo të ndjeshme, siç janë frutat agrume, disa shtesa dietike, produktet e duhanit dhe kafeja", vuri në dukje ai.
Kuota të vogla pa taksa doganore do të futen gjithashtu "për mishin e viçit, mishin e bizonit dhe shpendët", tha Parmelin, duke shtuar se të dy vendet planifikojnë të thjeshtojnë etiketimin dhe certifikimin për produkte të caktuara të mishit dhe qumështit.
Përtej tarifave, ministri tha se sektori privat zviceran gjithashtu planifikon të investojë 200 miliardë dollarë në SHBA deri në vitin 2028.
Ai përfundoi duke thënë se Zvicra kishte arritur një "përmirësim të konsiderueshëm në një mjedis ndërkombëtar që ndryshon me shpejtësi" dhe se ishte "shumë i kënaqur" me rezultatin për bizneset dhe punëtorët zviceranë.
Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, tha më parë se Uashingtoni "në thelb ka arritur një marrëveshje me Zvicrën", duke e përshkruar marrëveshjen si një nxitje të madhe për prodhimin amerikan.
Duke folur në një intervistë me CNBC, Greer tha se u takua me zyrtarët zviceranë të mërkurën dhe foli me presidentin më herët gjatë ditës. Marrëveshja, tha ai, do të shohë Zvicrën "të dërgojë shumë prodhime këtu në Shtetet e Bashkuara", duke përfshirë produktet farmaceutike, shkrirjen e arit dhe pajisjet hekurudhore.