Po rritet "epidemia" e hedhjes së paligjshme të mbeturinave në Britani

- Bota Sot

Po rritet "epidemia" e hedhjes së paligjshme të mbeturinave në Britani

Një grumbull masiv mbeturinash, i gjatë deri në 150 metra dhe i lartë 6 metra, është hedhur në një fushë në Oxfordshire, midis lumit Cherwell dhe rrugës A34 pranë Kidlington.

Ky incident është quajtur një “katastrofë mjedisore në shesh të hapur” dhe konsiderohet i paligjshëm, raporton BBC.

Deputeti Calum Miller e ka ngritur çështjen në Parlament, duke theksuar se kostoja e pastrimit të mbeturinave tejkalon buxhetin vjetor të këshillit lokal. Ai paralajmëron se kriminelët po hedhin mbeturina në këtë shkallë në të gjithë vendin, duke rrezikuar lumenjtë dhe mjedisin.

Organizata “Friends of the Thames” njoftoi se grumbulli u krijua rreth një muaj më parë nga një grup kriminal i organizuar dhe çdo ditë rrit rrezikun e ndotjes toksike të lumit, ndërsa disa prej mbeturinave tashmë ndodhen vetëm pesë metra larg tij.

Autoritetet mjedisore kanë vendosur masa kufizuese dhe po përpiqen të identifikojnë përgjegjësit. Policia e Thames Valley nuk është përfshirë ende në hetim, ndërsa Ministria e Mjedisit ka deklaruar se keqmenaxhimi i mbeturinave ka shkaktuar një “epidemi të hedhjes së paligjshme të mbeturinave”.

Raportet e fundit tregojnë se krimi i lidhur me mbeturinat është rritur dhe është trajtuar në mënyrë të pamjaftueshme, duke nxitur nevojën për një hetim të pavarur mbi mënyrën se si përballohet ky problem.



Lexoni të gjitha në Bota Sot