Tuchel vlerëson kuqezinjtë: E keni merituar vendin e dytë

- Bota Sot

Tuchel vlerëson kuqezinjtë: E keni merituar vendin e dytë

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, mbyll një vit në krye të Kombëtares pikërisht aty ku e nisi: kundër Shqipërisë.

Pas fitores 2:0 në “Wembley” në muajin mars, Anglia përballet sërish me kuqezinjtë, këtë të diel, në “Air Albania”, në një tjetër test të rëndësishëm në prag të Botërorit 2026.

"Presim një ndeshje të vështirë, Shqipëria e ka merituar vendin e dytë. Është e vështirë të luash në shtëpinë e Shqipërisë, është emocionale. Ata kanë pësuar vetëm tre gola dhe dy i kemi shënuar ne. Shpresoj të jemi të saktë dhe të shënojmë, besojmë se do ta dominojmë ndeshjen," - tha trajneri gjerman. 

Skuadra e Tuchel ka siguruar kualifikimin përfundimtar me dy ndeshje para mbylljes së Grupit K dhe ka arritur shtatë fitore radhazi pa pësuar gol, një seri që trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, e quajti me humor “e tmerrshme”.

Megjithatë, vetë Tuchel nuk e ka përmendur asnjëherë këtë statistikë para lojtarëve.

“Nuk kemi folur asnjë fjalë për rekordet,” u shpreh ai në konferencën për shtyp në Tiranë. “E rëndësishme është që lojtarët tregojnë çdo ditë dëshirën dhe urinë për të konkurruar. Ky është parakushti kryesor për të arritur çdo objektiv.”

Trajneri gjerman vlerësoi mentalitetin e skuadrës, sidomos të lojtarëve që nuk luajtën në takimin e fundit me Serbinë (2-0), por që në stërvitje dhanë maksimumin.

“Të gjithë janë gati të luajnë dhe të fillojnë titullarë. Gara mes tyre është gjallë dhe kjo më bën të besoj se jemi në rrugën e duhur,” theksoi ai.

Anglisë do t’i duhet të bëjë të paktën një ndryshim, pasi mbrojtësi Ezri Konsa është larguar nga grumbullimi për shkak të dëmtimit. Tuchel konfirmoi se lojtarë si Jude Bellingham, Phil Foden dhe Eberechi Eze, të cilët shkëlqyen si zëvendësues kundër Serbisë, janë opsione serioze për formacionin.

Sa i përket sulmit, ai mohoi mundësinë për të shkuar në Botëror vetëm me Harry Kane si qendërsulmues të mirëfilltë.

“Nuk besoj se do të shkojmë me një sulmues të vetëm. Ka shumë kohë deri në maj, por ideja jonë është të kemi një skuadër të balancuar me profile të ndryshme,” tha Tuchel.

Me një atmosferë pozitive dhe objektivat afatgjata të qarta, Anglia kërkon të mbyllë grupin me një tjetër fitore, duke treguar se uria për sukses mbetet e pandryshuar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot