Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, është shprehur se grupi po funksionon më i bashkuar se kurrë, ndërsa trajneri Thomas Tuchel vazhdon të ndërtojë një skuadër që beson fort në mundësinë për të fituar Kupën e Botës verën e ardhshme.
Pasi Anglia siguroi kualifikimin në Botërorin e Amerikës së Veriut dy ndeshje para përfundimit të fazës së grupeve, Tuchel ka vënë theksin te krijimi i një ndjenje të vërtetë “vëllazërie” brenda ekipit.
Ky besim i ndërsjellë e ka bërë trajnerin gjerman të marrë vendime të forta, siç ishte lënia në stol e Jude Bellingham dhe Phil Foden ndaj Serbisë në Wembley, për t’i aktivizuar më pas në pjesën e dytë, ndryshime që sollën energji të re dhe kontribuuan në golin e vonë të Eberechi Eze, për fitoren 2-0.
Sipas Kane, kjo frymë grupi është duke u përqafuar nga të gjithë lojtarët.
“Gjërat duken ndryshe në mënyrën se si punojmë dhe si e menaxhojmë përditshmërinë, por ambienti ka qenë gjithmonë një pikë e fortë e kulturës sonë,” tha ai para ndeshjes së fundit të Grupit K ndaj Shqipërisë në Tiranë.
“Edhe në periudhën me Gareth Southgate, kjo ishte pjesë e identitetit tonë.
Tani, me kalimin te Thomas, ka një tjetër ndryshim, por gjithçka po funksionon. Të gjithë duan të japin maksimumin, qoftë në stërvitje apo ndeshje.”
Kane theksoi se periudha e sezonit është e vështirë, me ndeshje çdo tri a katër ditë, por pikërisht për këtë arsye bashkimi i ekipit merr rëndësi edhe më të madhe.
“Pas kësaj kemi vetëm dy ndeshje të tjera para kampit stërvitor dhe përzgjedhja e skuadrës do të jetë pothuajse gati.
Nuk kemi shumë kohë për të përçuar çdo mesazh deri në verë, prandaj edhe lojtarët që vijnë të dëmtuar, si Marc Guehi, është e rëndësishme të jenë pranë grupit,” shtoi ai.
Kane pranoi se edhe në nivel personal po kalon një periudhë të shkëlqyer te Bayern Munich, ku po thyen rekorde dhe po rrit ndikimin e tij në lojë.
“Fizikisht dhe mendërisht ndiej se jam në moment të jashtëzakonshëm. Edhe te Bayern, ekipi është në formë të mirë dhe kjo më ndihmon të krijoj dhe të shënoj më shumë,” u shpreh ai.