Viktor Orban nis “turneun kundër luftës” ndërsa Hungaria përgatitet për zgjedhjet e 2026-s

- Bota Sot

Viktor Orban nis “turneun kundër luftës” ndërsa Hungaria përgatitet për zgjedhjet e 2026-s

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka nisur një “turne kundër luftës” disa-javor, duke e kthyer kriticizmin ndaj mbështetjes europiane për Ukrainën në një mesazh të hershëm elektoral për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Fushata nisi të shtunën në qytetin veriperëndimor Győr dhe pritet të vijojë në pesë qytete deri në fund të vitit.

“Ata që duan paqe do t’i bashkohen nismës sonë”, deklaroi Orban në një postim në Facebook.

Turneu nis një javë pas vizitës së Orbánit në Uashington, ku ai u takua me Donald Trump, i cili ra dakord t’i japë Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet amerikane për importin e naftës dhe gazit rus. Marrëveshja shihet si fitore politike për Orbanin, i cili ndodhet në pushtet prej 15 vitesh, në një moment kur ekonomia e vendit po përballet me pasiguri të mëdha.

Sipas burimeve, një tjetër objektiv i Orbanit në këtë udhëtim ishte bindja e Trumpit të vizitonte Hungarinë për një takim me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin Orban ka ruajtur lidhje të ngushta pavarësisht kritikave nga vendet e tjera europiane.

Kryeministri ka paralajmëruar shpesh për rreziqet e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë dhe shpreson që mesazhi i tij “pro-paqe” t’i zbehë kundërshtarët në prag të zgjedhjeve të prillit 2026. Por në të njëjtën ditë që Fidesz zhvilloi tubimin në Győr, Péter Magyar, ish-anëtar i Fidesz dhe aktualisht drejtues i partisë Tisza, e cila kryeson në disa sondazhe, organizoi një aktivitet paralel.

Fidesz është partia e luftës dhe urrejtjes, ndërsa Tisza punon për paqe brenda dhe jashtë vendit”, shkroi ai në Facebook.

Orbán është pozicionuar si kritik i ashpër i fushatës së BE-së për armatosjen e Ukrainës, ndërsa kundërshtarët e tij në Hungari dhe Europë e akuzojnë se është shumë pranë Putinit, duke e quajtur madje “kalë i Trojës i Kremlinit” brenda bllokut. Muajin e kaluar, ai udhëhoqi një “marshim për paqen”, duke u thënë mijëra pjesëmarrësve se Hungaria është “i vetmi vend në Europë që qëndron në anën e paqes”.

Marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar për shkak të bllokimit nga Budapesti të hapave për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe qëndrimit të Orbánit kundër sanksioneve ndaj Rusisë. Çështja ka dominuar politikën e brendshme hungareze, ku mediat pro-qeveritare akuzojnë Péter Magyar për lidhje me shërbimet sekrete ukrainase, duke e cilësuar “Zelenskyyn hungarez”.

Paralelisht, në vend janë shfaqur billboarde ku Volodymyr Zelenskyy dhe Ursula von der Leyen paraqiten në mënyrë kërcënuese, me sloganin: “Ata duan ta fusin Ukrainën në BE. Ne do të paguajmë çmimin.”

Ndërkohë, qytetarët ukrainas që kanë gjetur strehë në Hungari po shprehin shqetësim për atmosferën në vend. Një 23-vjeçare e quajtur Vlada tha se posterët dhe retorika mund të rikthejnë trauma te familjet që kanë ikur nga bombardimet. Ajo tregoi se, pavarësisht se ka mësuar gjuhën hungareze, është përballur me komente anti-ukrainase.

Tema e “paqes” pritet të jetë boshti kryesor i fushatës së Fidesz në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ekspertët vlerësojnë se partia në pushtet mund të përpiqet ta kthejë votimin në një “referendum për luftën dhe politikën e jashtme”.

Megjithatë, analistët theksojnë se kriza e kostos së jetesës, inflacioni, sistemi shëndetësor i rrënuar dhe problemet e thella në arsim mund të jenë faktorë vendimtarë në favor të Tisza, e cila aktualisht kryeson me rreth 7% në sondazhet e pavarura. Sipas tyre, edhe pse Orbán ruan avantazh në çështjet e politikës së jashtme dhe migracionit, zgjedhjet rrallëherë fitohen mbi bazën e politikës së jashtme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot