Kryetrajneri i Llapit të Podujevës, Tahir Batatina, është i mahnitur nga kombëtarja e Kosovës.
I mahnitur nga fitorja në Lubjanë me rezultat 1:0 ndaj Sllovenisë dhe kualifikimin në play-off, për të kërkuar një vend në Kampionatin Botëror në futboll.
“Çfarë zemre, çfarë force, çfarë krenarie!
Këta djem që u rritën dhe u formësuan në Superligën e Kosovës na dhuruan një fitore madhështore, një fitore që e ngriti në këmbë mbarë kombin shqiptar.
Me lojë të bindshme, me shpirt luftarak dhe me zemër plot dashuri për vendin, ata treguan se sa shumë vlen puna, sakrifica dhe djersa e viteve.
Mirënjohje e pafund për çdo trajner kosovar që ka kontribuar në rritjen e këtyre djemve, si edhe të shumë të tjerëve që nuk paraqiten në foto, por që janë po aq pjesë e këtij rrugëtimi. Çdo orë stërvitje, çdo këshillë, çdo sakrificë sot u shpërblye.
Forca Kosova.
Krenaria jonë, historia jonë!”, ka shkruar Batatina në profilin e tij në facebook.