Në kombin e vogël të Karaibeve, Kuraçao (me popullsi rreth 150,000 banorë), vështirë se ka një temë më të rëndësishme se futbolli.
Një barazim në Xhamajka të mërkurën do t’i mjaftonte kombëtares së futbollit për të siguruar kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026.
Në këtë duel skuadra në fjalë do të luajë pa trajnerin ikonë në stol, Dick Advocaat. 78-vjeçari, për arsye familjare, nuk ka mundur që të udhëtojë drejt ishullit të Karaibeve për përgatitur të besuarit e tij për ndeshjen decizive, e cila do të ishte historike si për teknikun edhe për lojtarët.
“Ishte një vendim shumë i rëndësishëm, por përpara familjes asgjë nuk ka vlerë. E mora këtë vendim me shumë hidhërim, por familja ime ka nevojë për mua”, tha Advocaat në një intervistë të dhënë për revistën “Voetbal International”.
Tekniku ka gjetur mirëkuptimin e lojtarëve, të cilët mungesën e tij në fushë do ta kthejnë në forcë për të arritur objektivin e madh.
“Mungesa e trajnerit do të jetë një motiv më shumë për ne për të dhënë gjithçka në fushë”, tha kapiteni Leandro Bacuna, i cili aktivizohet në Ligën e Dytë Turke për ekipin e Bandirmaspor.