Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur gjerë e gjatë në një intervistë, ku ndër të tjera, komentoi sfidën e sotme ndaj Anglisë si dhe mundësinë e përballjes në play-off mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Anglia është një kundërshtar i fortë. Ka fituar të gjitha ndeshjet kualifikuese në grup deri tani dhe nuk ka pësuar asnjë gol. Anglia ka treguar që është një kundërshtar për t’u respektuar maksimalisht, por gjithsesi ekipi ynë di të bëjë mirë edhe ndaj kombëtareve të tilla të mëdha.
Të dyja skuadrat e kanë arritur objektivin që kanë pasur në fillim të këtyre eliminatoreve, sot shpresojmë të kënaqim tifozët, pse jo të arrijmë dhe një rezultat historik”, tha Duka.
Duka foli edhe për mundësinë që Shqipëria dhe Kosova të përballen në play-offin e marsit, rruga e vetme e mbetur që mund të dërgojë në Botëror.
“Uroj që të mos kemi Kosovën përballë, sepse do të ishte vërtet një fatkeqësi për ne dhe për Kosovën të detyrohemi të sfidojmë njëri-tjetrin.
Dua që si ne si ata të vazhdojmë paralelisht që të realizojmë ëndrrën tonë për në Botëror pa u përplasur në asnjë moment.
Nëse Shqipëria do të përplaset me Kosovën, do mendojmë për këtë gjë në momentin që do të ndodhë”, tha Duka.