Arijanet Muriç, portieri i Sasuolos, ka dhënë një intervistë për kanalet zyrtare të klubit , ku foli për mbërritjen e tij në Emilia-Romagna. Në prononcimin e tij, gardiani shqiptar i Kosovës, ndër të tjera u shpreh:
“Bëra një bisedë shumë të mirë me Groson. Më telefonoi dhe folëm pak; isha shumë entuziast të vija këtu dhe të punonim së bashku në këtë projekt. Italia më pëlqen, është një eksperiencë e re për mua të vij në Serinë A, pastaj është edhe afër shtëpisë sime.”
Pse Sasuolo?
“E njihja klubin sepse shoku im i fëmijërisë, Bajrami, luante këtu dhe edhe trajneri im te Kosova, Samuel Kane, kishte qenë këtu. Ai më tha se do të ishte fantastike nëse do të vija dhe unë i besova, e njihja prej vitesh. Qendrat stërvitore janë shumë të bukura, nuk e prisja. Më pëlqen shumë edhe energjia e njerëzve, është diçka pozitive.”
Çfarë impakti kanë pasur blerjet e reja?
“Mendoj se ne lojtarët e rinj kemi nisur mirë. Na duhej ndeshja e parë për të hyrë më mirë në lojë, duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara, kemi filluar si duhet. Sa më shumë të stërvitemi, aq më shumë mund të përmirësohemi dhe të bëjmë edhe më mirë.”
Si ishte të punoje me Guardiolën?
“Mund të them vetëm gjëra pozitive për të; është një trajner me shumë cilësi, u jep shumë mundësi të rinjve, i motivon. Shkova në huazim te NAC Breda për të luajtur, ishte klub partner i Sitit. Pastaj Bravo u dëmtua dhe më rikthyen. Ishte një eksperiencë e mirë, luajta një ndeshje dhe lashë përshtypje të mirë te trajneri i portierëve, kështu që më pas ai më mori me vete te Burnley. Ishte një eksperiencë e shkurtër, por intensive. Jam ndier i lumtur që u ktheva te Siti.”
Ke qenë edhe në Turqi.
“Mora një telefonatë nga presidenti i Adana Demirspor, e dija që në atë kohë po kontaktonte disa lojtarë. Besoj se aty ishte edhe Balotelli dhe i thashë: ‘Le të shkojmë, të shohim si do shkojë’. Isha i ri, por më pëlqente të jetoja në një qytet antik, plot kulturë. Ishte një vit i bukur, përfunduam të pestët ose të gjashtët, koha ishte gjithmonë e mirë.”
Si u ndjeve me Montelën?
“Montela më hoqi nga loja në ndeshjen e parë, ishte pak e vështirë për mua të kthehesha në skuadër sepse në fillim nuk kisha marrëdhënie të mirë me të. Më pas u kuptuam më mirë, bëmë një sezon të mirë dhe gjithçka shkoi si duhet, sidomos me të. Është një trajner i mirë, shumë taktik, përndryshe nuk do ishte sot trajner i kombëtares turke. Kështu që mund të them vetëm gjëra pozitive për të.”
A ke ende kontakte me Balotelin?
“Po, jemi ende në kontakt. Jetonim në të njëjtin vend dhe më thoshte gjithmonë të vija në Itali. Dhe më në fund jam këtu. Më tha vetëm gjëra pozitive; ai e adhuron Italinë dhe s’më gënjeu — tani mund ta them me siguri.”
Çfarë mund të na thuash për Kompani?
“Kam luajtur me të, ishim miq. Kur shkoi te Anderleht, shkova edhe unë me të. Pastaj më tha se po shkonte te Bërnli dhe shkova sërish me të. Kisha oferta të tjera, por ndoqa atë. Arritëm rekorde dhe u ngjitëm në Premier League. Si lojtar ishte gjithmonë shumë serioz dhe strikt, analizon çdo sulmues. Si trajner është i jashtëzakonshëm, punon nga ora 7 deri në 10 të darkës, është fantastik.”
Çfarë stili loje preferon?
“Mund t’i përshtatem gjithçkaje. Kam luajtur në shumë klube; disa donin topa të gjatë, të tjerët lojë me këmbë. Ndihem mirë kudo.”
Çfarë pret nga ky vit?
“Shpresoj që ky kalim te Sasuolo të më japë energji të re. Ndihem sikur kam rilindur, sikur mund të nis gjithçka nga fillimi.”
Të pëlqen të përballesh me penalltitë?
“Sigurisht që nuk i pëlqej penalltitë, edhe pse janë një mundësi për të pritur. Nëse nuk e pret, atëherë nuk të pëlqejnë…”.