Juventus udhëton drejt Firences me një frymë të re pune dhe me idenë e qartë për të sjellë ndryshime në mënyrën e lojës. Luçiano Spaleti po projekton një rikthim taktik, duke hequr dorë nga skemat e mëparshme për të ndërtuar një sistem më fleksibël dhe agresiv.
Teknicieni italian po mendon një 4-3-3 modern, që duhet t’i japë skuadrës stabilitet në mesfushë dhe më shumë fantazi në sulm.
Në qendër të këtij transformimi qëndron roli i Lokatelit, i cili shihet si pika e ekuilibrit. Turam dhe Kopmeiners pritet të ofrojnë energji dhe mbështetje për fazën sulmuese, duke u shndërruar në dy motorë të mesfushës. Spaleti kërkon më shumë qarkullim topi, ritëm dhe presion të lartë. Por dilema e madhe lidhet me Dushan Vlahoviç.
Sulmuesi serb ka pësuar një lodhje muskulore gjatë grumbullimit me kombëtaren dhe mbetet i pasigurt për ndeshjen në “Artemio Franchi”. Stafi mjekësor do të vendosë vetëm në orët e fundit, një situatë që tensionon planet e trajnerit. Në rast mungese, opsionet nuk mungojnë. Openda shihet si alternativa më e mundshme për të zënë qendrën e sulmit, ndërsa Ildiz mund të marrë një rol më të avancuar, duke e kthyer skemën në një 4- 3-2-1 më të lëvizshëm.
Spaletti kërkon të shmangë pikërisht varësinë nga një lojtar i vetëm dhe të ndërtojë një sulm më të paparashikueshëm. Në mbrojtje pritet një vijë me Kalulu, Gati dhe Kelli, ndërsa Di Gregorio do të jetë përsëri në portë. Ky është versioni më i freskët i Juventusit, një skuadër në kërkim të identitetit të ri dhe të një stili që Spaleti dëshiron ta bëjë të qëndrueshëm.
Sfida në Firence do të jetë një test i rëndësishëm. Nuk është vetëm një përballje klasike e Serie A, por një provë për të parë sa shpejt “Zonja e Vjetër” mund të përthithë revolucionin e trajnerit të saj. Juventus kërkon pjekurinë që i ka munguar dhe një drejtim të qartë për të shkuar përpara.