Një studim zbulon se Lamine Yamal është lojtari që sulmohet

- Bota Sot

Një studim zbulon se Lamine Yamal është lojtari që sulmohet

Një studim ka arritur në përfundimin se Lamine Yamal merr më shumë abuzime racore në rrjetet sociale sesa të gjithë lojtarët e tjerë të La Ligës së bashku.

Sulmuesi i Barcelonës, i cili u shënjestrua nga tifozët e Real Madridit në “Santiago Bernabeu” në vitin 2024, është figura kryesore e urrejtjes online në Spanjë.

Fenomeni i racizmit është rritur si në stadiume ashtu edhe online vitet e fundit në futbollin spanjoll, dhe kohët e fundit është përballur me më shumë vëmendje publike dhe dënime penale.

Fytyra e fushatës kundër tij ka qenë Vinicius Junior, i cili merr numrin e dytë më të lartë të sulmeve racore online.

Studimi, i kryer nga Observatori Spanjoll i Racizmit dhe Ksenofobisë (Oberaxe), përdor një sistem AI të quajtur FARO për të zbuluar sulmet racore.

Gjatë sezonit të kaluar u regjistruan gjithsej 33,438 sulme me përmbajtje të raportueshme.

“El País” ka publikuar gjetjet, dhe rezultatet tregojnë se Lamine Yamal ka marrë 60% të të gjithë abuzimeve racore online.

Mes yllit të Barcelonës dhe Viniciusit (29%), ata përbëjnë gati 90% të të gjitha sulmeve, me Kylian Mbappé, Alejandro Balde, Brahim Diaz dhe Inaki Williams si shënjestrat e tjera kryesore.

Studimi zbuloi se lojtarët e Barcelonës (32%) dhe Real Madridit (34%) janë më të shënjestruarit, të ndjekur nga Real Valladolid (17%), Valencia (8%), Athletic Club (6%), Real Sociedad (5%) dhe Atletico Madrid (5%).

Nga platformat e analizuara, “Oberaxe” zbuloi se “Facebook” është platforma më aktive në luftimin e racizmit.

Komentet apo postimet abuzive u hoqën në 62% të rasteve, ndërsa platforma më e keqe në kontrollimin e gjuhës së urrejtjes është “Twitter”/”X”.

Platforma e Elon Musk heq vetëm 10% të përmbajtjeve të raportuara me abuzim racor.

La Liga ka rritur përpjekjet për të luftuar racizmin në stadiume, por në një kontekst global, shumë mendojnë se dënimet e dhëna nga autoritetet spanjolle nuk janë mjaftueshëm të qëndrueshme apo të ashpra për të vepruar si pengesë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot