Samiti në Berlin: Europa synon më shumë sovranitet digjital

- Bota Sot

Samiti në Berlin: Europa synon më shumë sovranitet digjital

Përfaqësues të nivelit të lartë nga Gjermania, Franca dhe BE theksuan në këtë samit, se Europa duhet të bëhet më e pavarur në teknologjitë digjitale. Kancelari Friedrich Merz u shpreh për një rol më të fuqishëm të Europës në botën digjitale. Zhvendosjet tektonike që po ndodhin kërkojnë një veprim më të shpejtë në hapësirën digjitale, tha Merz duke folur para përfaqësuesve nga politika, ekonomia dhe shoqëria.

Merz për një rol kryesues në fushën e inovacionit

Europa me një përpjekje të përbashkët duhet të ndjekë rrugën e saj digjitale, tha Merz. "E kjo rrugë duhet të çojë në sovranitet digjital – kudo ku kjo është e nevojshme dhe e realizueshme." Europa i kushton rëndësi të qenit e hapur dhe nuk do të vendosë mure virtuale. Por është e qartë edhe, se Europa nuk do të mund ta "rregullojë apo subvencionojë politikisht sovranitetin digjital", nënvizoi Merz. Ai theksoi, se lipset që kjo të konceptohet bashkë me ekonominë, shkencën dhe shoqërinë civile. Për të arritur sovranitetin digjital, Europa duhet të zhvillojë aftësitë digjitale. "Për të përballuar konkurrencën për teknologjitë digjitale, na duhet aftësi inovative. Unë shkoj edhe një hap më tej madje, dhe mendoj, se ne duhet të kryesojmë në inovacion", tha kancelari.

Top në duart e SHBA-së dhe të Kinës?

Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron tërhoqën vëmendjen, që në rast të kundërt Europa mund të kthehet në një top në duart e dy superfuqive. Macron paralajmëroi p.sh. nga rreziku, që europianët fëmijët e tyre i lenë çdo ditë katër deri në pesë orë në përgjegjësinë e ofruesve amerikan apo kinez të platformave, që jo patjetër kanë parasysh të mirën e europianëve.

Merz dhe Macron theksuan faktin, se BE-ja me një treg të brendshëm me 450 milionë konsumatorë, me shumë ekspertë dhe organizata shkencore është e mirëpërgatitur për ta përballuar konkurrencën me SHBA-në dhe Kinën. Njëkohësisht Macron kritikoi, që BE e ka ekzagjeruar me rregulla strikte në sektorin e inteligjencës artificiale. "Fillimisht ne duhet ti shpikim gjërat, përpara se të vendosim rregulla për to", tërhoqi ai vëmendjen.

Bashkëpunim dhe investime të sipërmarrjeve?

Në kuadrin e këtij samiti u deklaruan një sërë marrëveshjes bashkëpunimi dhe investime të sipërmarrjeve gjermane dhe franceze. Takimi me 1.000 pjesëmarrës kishte për qëllim të jepte impulsin, që Europa me zgjidhjet e saj të krijojë sa më shpejt pavarësinë e saj në fushën e teknologjive digjitale. / DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot