Skandal në Republikën Serbe – deputeti i partisë së Dodikut shfaqet me qese droge në duar

- Bota Sot

Skandal në Republikën Serbe – deputeti i partisë së Dodikut shfaqet me qese droge në duar

Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka shkaktuar tronditje në opinionin publik të Bosnjë-Hercegovinës.

Në pamje shihet Vlado Gjajiq - drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Republikës Serbe, deputet i Asamblesë Kombëtare dhe kryetar i degës së SNSD në Banja Llukë – duke biseduar me një person të panjohur, i cili mban në dorë një qese me një substancë të bardhë që ngjan me drogë.

Në video përmenden shuma prej 30 deri në 40 mijë euro, ndërsa dëgjohen edhe referenca ndaj policisë dhe personave të tjerë të përfshirë. Publikimi i videos shkaktoi reagime të menjëhershme politike, raporton klix.ba.

Gjajiq mohon kategorikisht çdo lidhje me narkotikët, duke deklaruar se bëhet fjalë për një “montazh të pastër” dhe një tentativë shantazhi. Ai pretendon se personi në video është “një kriminel i dënuar më parë, që e ka provokuar me qëllim” dhe thotë se është i gatshëm të nënshtrohet edhe testit të poligrafit.

Në anën tjetër, kryetari i Banja Llukës, Drashko Stanivukoviq, deklaroi se personi që shfaqet me qesen e pluhurit është Nenad Radinkoviq, të cilin ai e përshkroi si “kriminel të rrezikshëm dhe recidivist”. Stanivukoviq kërkoi hetim të plotë dhe transparencë nga institucionet.

Reagimi më i ashpër erdhi nga lideri i SNSD, Milorad Dodik, i cili brenda pak orësh e shkarkoi Gjajiqin nga të gjitha funksionet partiake, shkruan klix..ba.

Dodik tha se sjellja e tij në video është “e papranueshme dhe e dëmshme për imazhin e partisë”, duke nënvizuar se SNSD nuk do të tolerojë afërsi me krimin dhe drogën.

Ndërkohë, organet kompetente pritet të shqyrtojnë rrethanat e incidentit dhe të vlerësojnë nëse videoja përbën provë për veprimtari të paligjshme ose për tentim shantazhi. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot