Bilanci i parë i aventurës së re të Igli Tares në krye të merkatos së Milanit është më shumë se pozitiv.
I ardhur në fund të majit, drejtori sportiv ka rikthyer entuziazmin te kuqezinjtë falë shumë goditjeve në merkato, duke nisur nga më e rëndësishmja: emërimi i Massimiliano Allegrit në pankinë.
Me trajnerin livornez, Milani po shijon sërish pozitat e kreut dhe synon rikthimin në Champions League, ose ndoshta diçka edhe më të madhe.
Tare e pranoi hapur ambicien: “Do të isha gënjeshtar po të thosha se nuk dua të fitoj titullin. Për ta arritur, duhet shumë punë dhe shumë nuanca. Projekti ynë ka qenë radikal: kemi sjellë 19 lojtarë dhe kemi larguar 23.”
Ashtu si Napoli kampion i Italisë një sezon më parë, Milani po zhvillon një vit pa angazhime europiane.
Sipas Tares, kjo ka qenë një avantazh: “Ka pasur shumë ndryshime, por tani kemi mundësi të punojmë gjatë javës mbi detajet, gjë që është e pamundur kur luan në Europë. Po hedhim themelet për të ardhmen.”
Tare foli edhe për bashkëpunimin me Allegrin: “Bisedojmë shpesh. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë.
Max transmeton emocione te grupi.”
Të dielën në San Siro do të luhet derbi i parë i sezonit, një sfidë e veçantë për Taren: “E njoh mirë derbin e Romës, por jam shumë kurioz të përjetoj atë të Milanos. Unë kam qenë tifoz i Milanit, ndaj kjo ndeshje është speciale për mua. Këto sfida nuk luhen, por fitohen. Është e rëndësishme, por jo vendimtare”.