Fundjava sjell disa sfida interesante të kampionatit të Abissnet Superiores.
Spikasin dy ndeshjet që do të zhvillohen në kryeqytet, Dinamo City-Elbasani dhe Partizani-Vllaznia.
Përballja mes Dinamo City dhe Elbasanit është programuar të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:00. Është një sfidë rivalësh për titull, që ka rëndësi të veçantë për blutë, të cilët vijnë pas humbjes në Shkodër, ndërsa elbasanasit kanë avantazhin që aktualisht janë 5 pikë para Dinamos në renditje.
Interesant është fakti se në stadiumin “Air Albania” përplasen dy mbrojtjet më të forta të kampionatit pas 11 javësh.
Skuadra e trajnerit Ilir Daja ka pësuar më pak gola deri tani, 5 gola. Elbasani ka mbrojtjen e dytë më të fortë në kampionat, me 6 gola të pësuar, 1 më shumë se kundërshtari i së shtunës.
Në bazë të këtyre shifrave, sulmuesit e dy skuadrave duket se do ta kenë të vështirë ta gjejnë rrugën e rrjetës.
Sa i përket sulmit, elbasanasit janë më mirë se blutë.
Skuadra e trajnerit Ivan Gvozdenoviç ka shënuar 13 gola dhe ka sulmin e dytë më të mirë në kampionat. Një shkallë më poshtë është Dinamo City, me 11 gola të shënuar, po aq sa ka shënuar edhe Bylisi.