Agim Ademi: Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri - aset kombëtar

- Bota Sot

Agim Ademi: Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri - aset kombëtar

Kosova ka barazuar me rezultat 1:1 me Zvicrën, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve për kualifikimin në Kampionatin Botëror në futboll.

Ndeshja që u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri” pati edhe disa raste të pahijshme kur u vërshëllye kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka.

Me këtë rast, ka reaguar Agim Ademi, president i FFK-së.

“Mbrëmë ishim dëshmitarë të një paraqitjeje tjetër heroike dhe me shpirt të madh nga futbollistët tanë dardanë. Një lojë e shkëlqyer që solli një tjetër rezultat pozitiv në rrugëtimin tonë drejt ëndrrës së madhe.

Pavarësisht se nuk arritëm fitoren kundër Zvicrës (1:1), ne jemi kualifikuar për herë të parë në ‘Play-Off’ dhe kjo pa dyshim është një arritje historike e Kombëtares së Kosovës në vetëm 9 vjet të pranimit në UEFA e FIFA, për çka edhe u festua nga të gjithë ne.

Është për të ardhur keq që nga televizione e portale të caktuara dhe analistë që më së paku kanë të bëjnë me futbollin, suksesi dhe arritja historike e Kosovës u la në hije.

Për fat të keq, vëmendja u zhvendos tek gjërat që skanë lidhje me futbollin dhe tek të pavërtetat, duke lënë mënjanë paraqitjen e mirë të Kombëtares sonë.

Mbizotëroi propaganda e urrejtja e atyre që nuk e duan ose iu dhemb suksesi i Kosovës, duke u marrë me pesimizëm dhe negativitet, e duke anashkaluar thelbin: futbollin dhe arritjet tona kulmore!

U krijuan narrativa të pavërteta, se ndeshja nuk do të zhvillohet, se gjendja e fushës është e keqe, por pikërisht ndeshja e mbrëmshme e vërtetoi se fusha u ndërtua në nivelin më të lartë, duke e përballuar me plot sukses shiun e pandërprerë të dy ditëve.

Mos mendoni se kritikat e njerëzve që s’kanë asnjë lidhje me futbollin dhe që nuk ia duan të mirën sportit tonë kanë peshë.
 

Përkundrazi, raste të tilla vetëm sa e zbulojnë nivelin e ulët dhe keqdashjen e atyre që përpiqen të errësojnë sukseset tona.
Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithëve:

Kthehuni njëherë e përgjithmonë tek realiteti! Mos shtini shpifje, defetizëm dhe urrejtje mes popullit e mes shteteve tona mike.

Këta djem, gladiatorët e Dardanisë, janë krenaria dhe e ardhmja e Kosovës!
KOSOVA, miq e armiq, është në ‘Play-Off”! Realiteti po ndodh dhe ne jemi në mesin e ekipeve që kërkojnë një biletë për në Kampionatin Botëror deshët apo s’deshët ju.

Për dikë jemi shtet i vogël, por në fakt jemi komb i madh! Së bashku me bashkatdhetarët tanë kudo që veprojnë ne vazhdojmë të bëjmë krenar vendin tonë.

Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë aset kombëtar dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë. 

Graniti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Ai kudo që të jetë është djali i Ragip Xhakës, një familje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i jemi gëzuar gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme.

Disa po harrojnë një të vërtetë të madhe: Shumë prej rilindasve tanë kanë jetuar dhe vepruar në vende të ndryshme, por kontribuan për kombin në forma të ndryshme. Nga Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Isa Boletini, Sami e Naim Frashëri e shumë të tjerë që dhanë shpirtin dhe mendjen për çështjen kombëtare, e deri te patriotë të tjerë që jetuan jashtë vendit por punuan për të ardhmen e shqiptarëve. Ashtu siç ata kontribuuan nga diaspora, edhe sportistët tanë e bëjnë sot një gjë të tillë me punë, sakrificë dhe dinjitet.

Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifogrupi Dardanët, por gjërat negative ndonjëherë janë të pashmangshme në stadiume. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrerë edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore.

Në fund dua të shpreh një falënderim të veçantë për publikun e mrekullueshëm që përkundër propagandës së madhe për moszhvillim të ndeshjes dhe përkundër rrebeshit të shiut erdhi në stadium dhe nuk u ndal në asnjë moment së përkrahuri djemtë tanë. 

Ju jeni zemra e suksesit tonë!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi drejt ëndrrës sonë”, ka reaguar Ademi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot