Derbi i Madoninës këtë fundjavë sjell në qendër të vëmendjes një duel të fortë dhe të rafinuar mes dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të mesfushës në Serie A: Hakan Çalhanoglu për Interin dhe Luka Modriç për Milanin.
Përballja e tyre pritet të përcaktojë ritmin dhe balancën e një prej ndeshjeve më të ndjekura të sezonit. Çalhanoglu është kthyer në Milano pas angazhimeve me kombëtaren e Turqisë, dhe trajneri Kivu i ka dhënë një ditë pushimi për të rikuperuar energjitë përpara një sfide kaq të rëndësishme.
Në skemën e Interit, ai mbetet organizatori kryesor, lojtari që mban në dorë ritmin e lojës dhe që shpesh vendos momentet kyçe me vizionin e tij, pasimet në thellësi apo goditjet e sakta nga distanca. N
ë anën tjetër, Modriç, pavarësisht moshës, vazhdon të jetë një shembull i klasit dhe inteligjencës së lojës, duke treguar qartë pse konsiderohet prej vitesh ndër mesfushorët më të mirë në botë.
Me Milanin, roli i tij është thelbësor: ai ndërton aksionet, qetëson ndeshjen kur duhet dhe jep ritmin kur skuadra kërkon të shtyjë përpara.
Ndërsa Interi kërkon të limitojë hapësirën e Modriç-it në organizimin e lojës, Milanit i duhet të gjejë mënyrën për të neutralizuar ndikimin e Çalhanoglut, i cili nuk ngurron të marrë përgjegjësi dhe të krijojë rrezik sa herë i jepet hapësira.
Ky duel mes dy “mjeshtrave” të mesfushës pritet të jetë një ndeshje brenda ndeshjes, me secilin që përpiqet të lexojë dhe të parandalojë lëvizjet e tjetrit. Përballja e tyre pritet të vendoset nga detaje të vogla: një pasim i saktë, një ndërrim i papritur ritmi ose një gjuajtje e befasishme mund të prishë ekuilibrat e derbit.