Tre makthe të vjetra për Italinë në shortin e së enjtes

- Bota Sot

Tre makthe të vjetra për Italinë në shortin e së enjtes

Italia duhet të kalojë nga play-off-i për të siguruar kualifikimin në Botërorin 2026.

Tashmë janë përcaktuar edhe kundërshtarët e mundshëm të muajit mars dhe tre prej tyre risjellin në kujtesë makthe për “axurrët”. Bëhet fjalë për Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut.

Shorti do të hidhet ditën e enjte dhe në të marrin pjesë të gjitha vendet e dyta të grupeve kualifikuese, plus katër fitueset më të mira të grupeve të Ligës së Kombeve 2024/25, ato që nuk kanë siguruar kualifikimin direkt për në Botëror, apo për në play-off nëpërmjet vendit të parë ose të dytë në kualifikuese.

Janë 16 skuadra të ndara në 4 grupe (A, B, C e D), që do të sfidohen në gjysmëfinale dhe në finale, të dyja me ndeshje teke. Katër fitueset fluturojnë direkt për në Meksikë, Kanada dhe SHBA.

Italia, që ndodhet në vazon e parë bashkë me Danimarkën, Turqinë dhe Ukrainën, do ta luajë gjysmëfinalen e play-off-it në shtëpi kundër një prej katër skuadrave që vijnë nga Liga e Kombeve dhe ndodhen në vazon e 4-t.

Kundërshtarë të mundshëm janë Rumania, Suedia, Irlanda e Veriut ose Maqedonia e Veriut. Me këto tre të fundit eksperienca nuk është e këndshme për italianët, pasi janë eliminuar prej tyre.

Finalen e mundshme Italia do ta luante kundër njërës prej skuadrave të vazos së dytë dhe të tretë, që janë: Polonia, Uellsi, Republika Çeke, Sllovakia, Irlanda, Bosnjë Hercegovina, Shqipëria ose Kosova.



Lexoni të gjitha në Bota Sot