Media kroate për Granit Xhakën në Kosovë: Situata shpërtheu në konferencë për shtyp

- Bota Sot

Media kroate për Granit Xhakën në Kosovë: Situata shpërtheu në konferencë për shtyp

Ajo që ndodhi mbrëmë në stadiumin ”Fadil Vokrri” në Prishtinë, fishkëllimat ndaj Granit Xhakës, ka bërë jehonë në shumë shtete, po ashtu edhe në Kroaci.

Kosova barazoi (1:1) me Zvicrën, në ndeshjen e xhiros së gjashtë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll. 
Fokusi ishte te kapiteni Xhaka.

Media kroate “Gol.dnevnik” i ka kushtuar rëndësi ngjarjes që ndodhi në kryeqytetin e Kosovës, sidomos vërshëllimave që iu bënë Xhakës. 

“Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ishte në fokus të veçantë.

Edhe pse ka lindur në Zvicër, familja e tij vjen nga Besiana e Kosovës, gjë që e ka bërë atë një nga lojtarët e preferuar midis tifozëve në këtë rajon për vite me radhë.

Popullariteti i tij u rrit pas ndeshjeve të kaluara kundër Serbisë, kur ai tregoi shqiponjë dykrenare  në festimin e golave, një simbol që u prit me entuziazëm nga shqiptarët.

Pavarësisht kësaj, këtë herë në Prishtinë ai nuk u prit me ovacione, por me fishkëllima të forta.

Që nga prekja e parë e topit, publiku protestoi dhe çdo lëvizje që ai bëri u shoqërua me një ulërimë të fortë nga tribunat, e cila e tronditi dukshëm.

Arsyeja është një sërë deklaratash që ai bëri para ndeshjes, duke komentuar vendimet e futbollistëve të rinj Leon Avdulahu dhe Albin Hajdari për tu larguar nga kombëtarja zvicerane dhe për të luajtur për Kosovën.

Xhaka tha se të dy "nuk kishin durim" dhe se ata "nuk kishin një vend të garantuar në ekipin kombëtar", gjë që lojtarët e Kosovës e “perceptuan si nënçmim”. Përgjigja e Albin Hajdarit ishte e shpejtë dhe e mprehtë, duke theksuar se vendimi u mor "nga zemra" dhe jo për shkak të mungesës së hapësirës në Zvicër.

Pas ndeshjes, Xhaka iu afrua udhëheqësit të tifozëve të Kosovës dhe u përfshi në një diskutim të nxehtë, dukshëm i pakënaqur me trajtimin që mori.

Situata shpërtheu në konferencë për shtyp. Xhaka, dukshëm i tronditur, pranoi se nuk priste një pritje të tillë "në shtëpi" dhe tha se e gjithë kjo e preku thellë.

Në një moment kur ishte në prag të lotëve, ai theksoi se reagimi i tifozëve e lëndoi”, shkruan mes të tjera media kroate.



Lexoni të gjitha në Bota Sot