Kryeshefi ekzekutiv i Airbus, Rene Obermann, deklaroi sot në Berlin se vendet evropiane duhet të zhvillojnë urgjentisht armë bërthamore taktike të përbashkëta në përgjigje të arsenalit në rritje të Rusisë.
Ai në konferencën e sigurisë theksoi se qëndrimi aktual i mbrojtjes evropiane lë një hendek të rrezikshëm nën pragun për një përgjigje strategjike.
Obermann paralajmëroi për atë që tha se ishin "më shumë se 500 koka bërthamore taktike" që Rusia ka vendosur tashmë përgjatë krahut lindor të NATO-s dhe në Bjellorusi, raporton Politico, përcjell KosovaPress.
Përpara një audience zyrtarësh të mbrojtjes, oficerësh ushtarakë dhe drejtuesish të industrisë, ai ngriti një pyetje direkte: "Cila mendoni se do të ishte përgjigjja jonë ndaj një sulmi të kufizuar taktik rus me efekte të kufizuara? Unë nuk e kam përgjigjen, por jam i sigurt që ju e keni."
Armët bërthamore taktike kanë një rendiment më të ulët shpërthyes, zakonisht në rangun prej 1 deri në 50 kilotonë, dhe janë të destinuara për përdorim në fushën e betejës. Armët strategjike, nga ana tjetër, kanë një rendiment prej më shumë se 100 kilotonë dhe janë të dizajnuara për të shkatërruar qytete të tëra.
Sipas Obermann, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe "shtetet e tjera anëtare evropiane të gatshme" duhet të nisin një "program të përbashkët dhe gradual të parandalimit bërthamor".
Ai theksoi se ky program duhet të përfshijë në mënyrë të qartë një nivel taktik, të cilin udhëheqësit evropianë deri më tani nuk kanë guxuar ta diskutojnë publikisht.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë të vetmet fuqi bërthamore evropiane me arsenale të pavarura, por nuk ka një doktrinë të përbashkët evropiane për tiu përgjigjur një sulmi të kufizuar bërthamor.
Parisi vlerësohet të ketë rreth 290 koka bërthamore dhe Londra rreth 225, por asnjëra prej tyre nuk klasifikohet si taktike.
Gjermania merr pjesë në misionin e ndarjes së armëve bërthamore të NATO-s, por nuk zotëron asnjë të vetën. Në krahasim, Rusia ka arsenalin më të madh në botë prej rreth 5.580 armësh bërthamore.
Obermann paralajmëroi se Evropa rrezikon të keqinterpretojë strategjinë e Moskës nëse ajo përqendrohet vetëm në armët strategjike dhe injoron rezervat e mëdha të armëve taktike të Rusisë. Një përgjigje e besueshme evropiane, tha ai, do të dërgonte një "sinjal të fortë parandalues".
Agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimet e përsëritura të Moskës me armë bërthamore po i detyrojnë zyrtarët evropianë dhe udhëheqësit e industrisë të përballen me çështje që ishin të paimagjinueshme deri vonë.
Nxitjes për të shqyrtuar opsionet bërthamore i shtohet shqetësimi në rritje në lidhje me besueshmërinë e SHBA-së si partner sigurie dhe një paralajmërim nga ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius se Rusia mund të sulmojë një anëtar të NATO-s që në vitin 2028.
Në këtë kontekst, Polonia njoftoi më parë këtë vit se ishte e hapur për të marrë pjesë në një program për ndarjen e armëve bërthamore.