Pulisic dhe Leao rikthehen së bashku pas gati 100 ditësh

- Bota Sot

Pulisic dhe Leao rikthehen së bashku pas gati 100 ditësh

Milani do të ketë më në fund në dispozicion dyshen e saj më të rëndësishme sulmuese.

Pas gati 100 ditësh, Rafa Leao dhe Cristian Pulisic do të zbresin sërish së bashku në fushë nga minuta e parë, pikërisht në derbin e së dielës ndaj Interit të Cristian Chivu.

Një rikthim i shumëpritur në kampin kuqezi, duke qenë se dyshja nuk kishte luajtur krah për krah që nga 17 gushti, në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Barit, moment që u ndërpre pas vetëm pesëmbëdhjetë minutash për shkak të dëmtimit në pulpë të Leao-s.

Pas rikuperimit të plotë të Pulisic-it dhe formës në rritje të Leao-s, trajneri Massimiliano Allegri është gati t’i vendosë të dy në krah të njëri-tjetrit në skemën 3-5-2, një risi e rëndësishme duke pasur parasysh formën jo bindëse të sulmuesve të tjerë. Gimenez dhe Nkunku nuk kanë arritur pritshmëritë, duke e bërë rikthimin e dyshes kryesore një lajm ideal për kuqezinjtë.

Kontributi i tyre ka qenë vendimtar: në këtë fillim sezoni, Leao ka shënuar 5 gola, ndërsa Pulisic 6, duke realizuar së bashku 11 nga 22 golat e Milanit, saktësisht gjysmën. Këta tregues e theksojnë edhe një herë rolin jetik të dyshes në projektin teknik të Allegrit.

Për më tepër, derbi përfaqëson një mundësi që të dy të përmirësojnë statistikat personale në këtë sfidë prestigjioze. Leao numëron 3 gola në 20 paraqitje, ndërsa Pulisic ka shënuar 2 herë në 7 ndeshje, të dyja herët vendimtare. Sezonin e kaluar, amerikani hapi rrugën e fitores 2-1 në derbin e kampionatit dhe shënoi golin e barazimit në finalen e Superkupës Italiane, fituar më pas 3-2 nga Milan.

Forma dhe rikthimi i tyre i plotë janë arsye reale për optimizëm te kuqezinjtë, ndërsa Allegri sheh me buzëqeshje drejt një derbi që pritet të vendosë shumë për ecurinë e sezonit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot