Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve, Y. Rr. dhe B. K., të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Sipas aktakuzës, më 12 tetor, në fshatin Budakovë, Y. Rr. dyshohet se i ka ofruar 120 euro B. K.-së, me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të një kandidateje për asamble komunale. Për verifikimin e votës, Y. Rr. më pas ka kërkuar të shohë telefonin e B. K.-së, pas çka dyshohet t’i ketë dorëzuar shpërblimin.
Në anën tjetër, B. K. akuzohet se ka pranuar këtë shumë parash për të ndikuar në votimin e tij.
Prokurori i rastit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.