Tare dhe Comolli, dy politika të ndryshme që ngjajnë

- Bota Sot

Tare dhe Comolli, dy politika të ndryshme që ngjajnë

Për drejtorin sportiv të Milanit, statistikat mund të japin një dorë, për administratorin e Juventusit janë baza e të gjitha fazave të jetës së një klubi. Në fund, për të përcaktuar blerjen ose jo të një futbollisti, qasja është shumë e ngjashme për të dy.

Prestigjiozja italiane “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull special politikave të punës së drejtuesit shqiptar të Milanit dhe atij të Juventusit. Artikulli i plotë:

Kaq larg, por edhe kaq afër. Është folur shumë për politikën e blerjes së futbollistëve, për t’u besuar të dhënave dhe algoritmeve, apo për të ndjekur mënyrën e vjetër të merkatos, atë të bërë personalisht.

Damien Comolli, administratori i Juventusit, në “Hudl Performance Insights 2025” të mbajtur në Londër, ka theksuar: “Klubi i Juventusit e dinte që do ta vija bashkë me të dhënat, sepse kjo është mënyra me të cilën mendoj dhe veproj unë. Kjo është pjesë e mënyrës sime për të drejtuar një klub”.

Pastaj ka ardhur replika e Igli Tares, shqiptarit që mban postin e drejtorit sportiv të Milanit. Ai është shprehur se “të dhënat mund të të japin një dorë, por unë do t’i lija në sfond, sepse një grup jeton me logjikën e vet. Unë arsyetoj kështu dhe kështu veproj”.

Por a janë vërtet këto dy pozicione kaq shumë larg njëri-tjetrit? Realisht, janë shumë më pak nga sa mund të mendohet.

Së pari është e rëndësishme të saktësohet diçka: drejtuesi juventin ka folur në një konferencë të nivelit të lartë mbi përdorimin e të dhënave, kështu që ishte e paevitueshme që fokusi të ishte mbi të gjitha ai. Tare në anën tjetër e ka prekur argumentin në një intervistë 360°, në një kontest, ku krahasoheshin përfaqësuesit e industrisë së futbollit italian dhe atij ndërkombëtar.

Sigurisht, strategjitë e të dyve janë të ndryshme. Për Comolli-n komandojnë të dhënat në të gjitha fazat e jetës së një klubi, nga qasja taktike te parashikimi i dëmtimeve. Për Taren të dhënat mund të jenë një plus i mirë. Por, konkluzioni që të dy nxjerrin në fund për të përcaktuar zgjedhjen e një futbollisti është shumë i ngjashëm.

Si vlerësohet personaliteti? “Ka shumë rëndësi të kuptohet personaliteti i çdo futbollisti dhe personaliteti matet duket folur nga afër me të”, – ka thënë drejtuesi shqiptar i Milanit.

“Të dhënat na japin një indikacion për karakterin e personalitetit të lojtarit, por jo gjithçka. Ne i lëmë të dhënat të bëjnë punën e tyre, shohim ndonjë video, por nuk përdorim skautë siç bëjnë klubet e tjera”, – shpjegonte francezi në ‘Excellent Leadership Podcast’ një vit më parë, duke treguar eksperiencën e tij te Tuluza.

“Drejtuesi ynë i rekrutimit kalon 3-5 ditë me çdo objektiv final të merkatos, shkon në shtëpinë e tyre, del për darkë në restorantin e tyre të preferuar, takon babanë, nënën dhe vëllezërit për të kuptuar nëse kultura e tyre integrohet me tonën”, ka shtuar Comolli.



Lexoni të gjitha në Bota Sot