Ish-kapiteni i Manchester Cityt, Fernandinho, ka njoftuar zyrtarisht pensionimin nga futbolli profesionist.
Pas nëntë sezoneve të suksesshme me Cityn dhe tre viteve të fundit te Athletico Paranaense, 40-vjeçari ka vendosur të mbyllë kapitullin e tij në sportin që e bëri një nga figurat më të respektuara në botën e futbollit.
Lajmin e konfirmoi vetë Fernandinho përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.
“Jam i lodhur. Jam i rraskapitur edhe pas vetëm 30 minutave vrapim sot. Nuk kam më motivim në futboll. Kam arritur shumë në këtë sport. E kam shijuar në maksimum.
Tani ka ardhur koha t’i përkushtohem familjes,” shkroi ai.
Gjatë qëndrimit të tij te Manchester City, Fernandinho u bë një nga shtyllat kryesore të skuadrës, duke fituar pesë tituj të Premier League-s, si dhe duke kontribuar në ngritjen e Cityt në elitën e futbollit evropian.
Me kombëtaren e Brazilit, ai arriti kulmin më 2019, kur fitoi Copa America.
Pensionimi i tij shënon fundin e një karriere të jashtëzakonshme, të mbushur me trofe, lidership dhe profesionalizëm, duke lënë pas një trashëgimi të fortë si një nga mesfushorët më të qëndrueshëm të dekadës së fundit.