Marquinhos është gati të shkruajë një faqe të artë në historinë e Paris Saint-Germain.
Nëse do të zbresë në fushë këtë fundjavë në sfidën kundër Le Havre, kapiteni brazilian do të zhvillojë ndeshjen e tij të 500-të me fanellën pariziene, një arritje e jashtëzakonshme, e rezervuar vetëm për legjendat.
Që prej mbërritjes së tij te PSG në vitin 2013, mbrojtësi ka qenë një figurë kyçe e skuadrës: 499 paraqitje, 42 gola, 12 asistime dhe shumë trofe, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve.
Me profesionalizëm të lartë dhe rendiment konstant, ai është kthyer në simbolin e stabilitetit dhe lidershipit brenda klubit.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, e vlerësoi lart kapitenin e tij:
“Profesionalizmi i tij, cilësitë e tij si mbrojtës dhe thjesht si lojtar janë të nivelit më të lartë. Shifra që do të arrijë është vërtet e pabesueshme. Do të shohim gjendjen e tij fizike më vonë,” tha ai.
Edhe pse në fillim të të 30-ave, Marquinhos vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer dhe mund të shtojë edhe shumë ndeshje të tjera në historinë e tij me PSG-në. Për tifozët parizienë, ai është “Kapiteni Fantastik”, një lider që ka ditur të mbajë mbi supe peshën e ambicieve të klubit në çdo front.