E gjithë bota ia mësoi mirë emrin këtë javë. Jorgen Strand Larsen është 25 vjeç dhe më në fund mori vëmendjen që meriton ndërsa I shënoi gol Italisë në eliminatoret e Kupës së Botës.
Sulmuesi i Norvegjisë zëvendësoi Erling Halandin dhe realizoi shumë bukur, ndërsa mediat italiane kujtojnë një histori të 7-8 viteve më parë.
Siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, Larsen ka qenë në 2017-2018 pjesë e ekipit të Shpresave të Milanit, apo siç quhet në Itali, “Primavera”.
Atë sezon u paraqit mirë me 3 gola dhe një asist në 20 ndeshje, por ndoshta nuk shkëlqeu aq shumë, duke mos bindur.
Drejtuesit dhe stafet teknike kuqezi vendosën të mos e mbanin, ndërsa mund ta kishin pasur të vetin vetëm për 200 000 euro.
Vetë Larsen falenderoi në rrjetet sociale dhe vazhdoi përpara në karrierë, duke provuar kampionatin norvegjez, ligat holandeze me Groningenin, Spanjën tek Selta e Vigos dhe tani ndodhet në kampionatin më të fortë në botë, në Premier Ligën angleze me Uolvesin.
Njoftohet se klubi anglez refuzoi 30 milionë euro për të verën e kaluar, ndërsa sipas “transfermarktit”, Larsen vlen 40 milionë euro.
Ndoshta në Milanelo mund të jenë penduar që e lejuan të largohej kur ishte adoleshent.