Zyrtari i sanksionuar rus ishte pjesë e hartimit të planit amerikan për paqe në Ukrainë

- Bota Sot

Zyrtari i sanksionuar rus ishte pjesë e hartimit të planit amerikan për paqe në Ukrainë

Zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar për takimin e muajit të kaluar midis përfaqësuesve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump dhe Kiril Dmitrievit, aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin dhe i vendosur nën sanksionet amerikane, për të hartuar një plan për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Takimi u zhvillua në Miami në fund të muajit tetor dhe përfshiu Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Dmitriev.

Administrata e Trumpit ka miratuar një përjashtim për të lejuar hyrjen e Dmitrievit në SHBA, pavarësisht se ai dhe fondi i tij RDIF u vunë në listën e zezë në 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës. Takimi çoi në hartimin e një plani 28-pikësh, i cili ka habitur dhe ngatërruar zyrtarët amerikanë dhe ambasadat evropiane, raporton reuters.

Plani u kritikua nga Ukraina dhe aleatët e saj, pasi duket i favorshëm ndaj Rusisë. Ai kërkon më shumë koncesione nga Ukraina, duke u përplasur me qëndrimin më të fortë të Trumpit kohët e fundit ndaj Moskës dhe sanksionet ndaj sektorit energjetik rus.

Roli i Rustem Umerov, ish-ministër i Mbrojtjes i Ukrainës, është përshkruar si "teknik", ndërsa Dmitriev tha se qëllimi i planit është të parandalojë humbjet e mëtejshme të ukrainasve dhe territorit. Trump pret që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky të nënshkruajë planin deri në Ditën e Falënderimeve, duke paralajmëruar mundësinë e ndërprerjes së ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Shumë zyrtarë të lartë amerikanë nuk u informuan për planin, duke përfshirë Keith Kellogg dhe pjesë të Departamentit të Shtetit. Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio u informua vonë, disa burime thonë se ai nuk pati qasje të plotë dhe se plani përmban materiale që ai kishte refuzuar më parë.

Deputeti ukrainas zbulon 28 pikat e planit amerikan të paqes - çfarë përfiton Ukraina dhe çka agresori, Rusia?

Brenda administratës dhe në Capitol Hill ka shqetësim se Witkoff dhe Kushner mund të kenë shmangur procedurat normale dhe se diskutimet me Dmitrievin favorizojnë interesat ruse. Plani kërkon dorëzimin e territoreve lindore të Ukrainës, njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë dhe premtimin se Ukraina nuk do t’i bashkohet NATO-s.

Analistët dhe senatorë si Roger Wicker e kritikuan planin, duke e konsideruar të pafavorshëm për Ukrainën dhe të rrezikshëm në perspektivë. Putin e sheh atë si bazë për marrëveshje të mëtejshme, duke sugjeruar se do të kërkohen rishikime të tjera që mund të jenë më të pafavorshme për Kievin.

Negociatat me Dmitrievin shqetësuan komunitetin e inteligjencës amerikane, pasi ai kishte përdorur më parë RDIF për të fituar ndikim në qeveritë perëndimore edhe gjatë sanksioneve. Ai ka bashkëpunuar me Kushnerin gjatë administratës së parë të Trumpit, duke koordinuar për shembull dërgimin e respiratorëve gjatë pandemisë, një veprim që ngriti shqetësime për shkelje të sanksioneve amerikane.



Lexoni të gjitha në Bota Sot