Starmer telefonon Trump pas bisedës me Zelensky mbi planin e paqes për Ukrainën

- Bota Sot

Starmer telefonon Trump pas bisedës me Zelensky mbi planin e paqes për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe kryeministri britanik Keir Starmer zhvilluan sot bisedime të rëndësishme dhe në qendër të bisedës ishte procesi i paqes.

Lajmi u bë i ditur në një postim në rrjetin X nga presidenti Zelensky, raporton KosovaPress.

“Unë fola me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer. Patëm një bisedë të gjatë dhe trajtuam shumë nuanca të punës diplomatike në planifikimin e procesit të paqes. Koordinimi do të vazhdojë dhe jam mirënjohës ndaj shoqërisë britanike për mbështetjen e tyre," shkroi Zelensky në rrjetin X.

Ai njoftoi gjithashtu se këshilltarët nga Ukraina dhe Britania e Madhe, si dhe nga SHBA-ja, Franca dhe Gjermania, do të takohen nesër në Zvicër për të vazhduar punën e tyre.

Kryeministri britanik zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Një zëdhënës i Downing Street raportoi se Starmer e informoi fillimisht Zelensky për progresin e bisedimeve të Koalicionit të vullnetshëm në takimin G20 në Afrikën e Jugut.

Starmer më pas ia përcolli këto përfundime Trump. Të dy liderët ranë dakord që ekipet e tyre do të punojnë së bashku në planin e paqes me 28 pika në Gjenevë dhe ranë dakord për një bisedë të re për nesër.



Lexoni të gjitha në Bota Sot