Interi ka nisur tashmë operacionin për të gjetur pasuesin ideal të Yann Sommer dhe emri që spikat në listë është ai i Emiliano “Dibu” Martinez, portieri i Aston Villës dhe kampion bote me Argjentinën.
Në një kohë kur shumë klube të mëdha të Evropës po përgatiten për lëvizje të forta në afatin e janarit, Interi e sheh këtë periudhë si momentin e së vërtetës.
Pas një fundsezoni të kaluar ku u pa rënie fizike dhe mungesë thellësie në skuadër, drejtuesit zikaltër janë të vendosur të mos përsërisin të njëjtat gabime dhe kërkojnë të forcojnë një nga pozitat më të rëndësishme: portën.
Sipas TyC Sports, Interi ka vënë në shënjestër Emiliano Martinez, 33 vjeç, i cili ka kontratë me Aston Villën deri në vitin 2029.
Performancat e tij të qëndrueshme në Ligën Premier dhe paraqitjet vendimtare me Argjentinën e bëjnë atë një kandidat ideal për skuadrën e Cristian Chivut.
Martinez, i shpallur kampion bote në Katar 2022, shihet si profili perfekt për t’i dhënë Interit stabilitet afatgjatë në portë.
Edhe pse Aston Villa e ndali largimin e tij gjatë verës, zikaltërit janë të gatshëm të testojnë vendosmërinë e klubit anglez me një ofertë konkrete.
Interi po e konsideron këtë transferim si prioritet absolut, me qëllimin që gardiani i ri të mbërrijë sa më shpejt në Milano për të nisur një epokë të re në portën zikaltër.