Pep Guardiola u pa dukshëm i irrituar me një kameraman gjatë humbjes së Manchester City ndaj Newcastle, pasi ai po filmonte diskutimin e trajnerit me Bruno Guimaraes dhe Joelinton. Në pamjet që u bënë “virale”, Guardiola i heq operatorit kufjet ndërsa ky po bënte punën e tij, për t’i thënë diçka në vesh.
Incidenti ndodhi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ku City u mund 2-1 dhe mbeti 4 pikë larg kryesuesit, Arsenalit. Nëse “gunners” fitojnë të dielën kundër Tottenham, avantazhi i tyre mund të shkojë në 7 pikë.
Ndeshja pati disa vendime të diskutueshme, që nuk i pëlqyen Guardiolës, përfshirë faullin e mundshëm ndaj Gianluigi Donnarumma në golin e 2-1, që as arbitri dhe as VAR-i nuk e sinjalizuan. Guardiola deklaroi për “Sky Sports”:
“Gianluigi e pa episodin, unë jo. Iu besoj lojtarëve të mi, por unë nuk e kam parë. Ndodh edhe kështu me arbitrat, jemi mësuar”.