Gjatë Asamblesë së Real Madridit, Florentino Pérez foli ashpër për arbitrat spanjollë dhe “çështjen Negreira”. Ai deklaroi:
“Nuk është normale që Barcelona t’i ketë paguar zv.presidentit të arbitrave mbi 8 milionë euro për të paktën 17 vite, cilado qoftë arsyeja”. Florentino theksoi peshën e postit të Enríquez Negreira, i cili “komunikonte ngjitjet dhe zbritjet e arbitrave”, dhe vuri në dukje se kjo periudhë përkoi me sukseset më të mëdha të Barcelonës në Spanjë.
Presidenti i Real Madridit shtoi: “Ne jemi të vetmit të paraqitur në gjyq. Katër presidentë i kanë paguar miliona zv.presidentit të arbitrave spanjollë për 17 vite”. Ai kritikoi fort edhe kreun e CTA: “Fran Soto kërkon të mbyllet kjo faqe? Epo kush do ta harrojë?”
Sipas tij, problemi vazhdon sepse “shumica e arbitrave të përfshirë në ‘çështjen Negreira’ janë ende aty”.
Ai përmendi edhe një episod para finales së Kupës: “Si është e mundur që arbitri të thoshte se do të merrnin masa kundër klubit tonë?”
Florentino sulmoi gjithashtu Javier Tebas dhe nivelin e dobët të arbitrimit spanjoll, duke theksuar se asnjë arbitër spanjoll nuk u përzgjodh për Kupën e Botës së Klubeve. Ai akuzoi La Liga-n se financon disa media “me qëllim që të dëmtojë Real Madridin”, duke përmendur “Relevo” si shembull.