Andriy Shevchenko ka shpjeguar pse dueli i ardhshëm i “Derby della Madonnina” ka më shumë rëndësi për ish-skuadrën e tij, Milanin, sesa për Interin, para përballjes së së dielës mbrëma në “San Siro”: “Një humbje mund ta ndalojë procesin”.
Interi pret Milanin në derbin e parë “Della Madonnina” të sezonit 2025-26 të dielën mbrëma, me fillim nga ora 20:45.
Shevchenko ka luajtur kundër Interit më shumë se kundër çdo skuadre tjetër gjatë karrierës së tij, duke regjistruar 11 fitore, gjashtë barazime dhe pesë humbje në 22 ndeshje kundër “Nerazzurrëve”.
Së fundmi, Milani ka tre fitore, dy barazime dhe pesë humbje në 10 përballjet e fundit kundër Interit.
Inkurajuese për “Rossonerët” është se ata janë të pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit kundër rivalëve të qytetit.
Interi hyri në fundjavë si lider i Serie A me 24 pikë dhe ka mundësinë ta rikthejë epërsinë me një fitore të dielën. Milani, aktualisht me 22 pikë, mund të kalojë rivalët me një triumf në “San Siro”. Aktualisht në krye të tabelës është Roma me 27 pikë.
Shevchenko, në një intervistë për “La Repubblica”, shpjegoi pse kjo ndeshje ka më shumë peshë për Milanin sesa për Interin:
“Të dy skuadrat po kalojnë një moment të mirë. Megjithatë, marrja e rezultatit është më e rëndësishme për Milanin, që ende duket pak më i brishtë se ‘Nerazzurrët’. Ata duhet të vazhdojnë të rriten. Një humbje mund ta ndalojë këtë proces,” shpjegoi ai.
Ai mendon se “Nerazzurrët” duken si një skuadër krejtësisht tjetër krahasuar me fillimin e sezonit:
“Ata janë një ekip tjetër sot. Duhet të nisësh nga e para kur mbaron një sezon. Skuadra e Interit praktikisht është ruajtur e paprekur; madje janë forcuar. Dhe për mua, Chivu duket si një trajner me vizion të mirë futbolli. Ai ka idetë e duhura. Janë një nga favoritët për Scudetton”, tha ai.
Dhe çfarë mendon ai se duhet të bëjë Milani për t’u rikthyer në nivelin më të mirë?
“Ata duhej të gjenin sërish atë soliditet, të rindërtonin pas vështirësive që patën sezonin e kaluar. Duhet të marrësh parasysh edhe numrin e lojtarëve të rinj që erdhën në verë. Allegri po i menaxhon mirë, nuk duhet ta marrin të mirëqenë. Max është një trajner me përvojë dhe me karakteristika të qarta.
Është një njeri serioz, di si t’i menaxhojë lojtarët. Ka një stil loje të provuar. E di mirë në çfarë po futesh kur e punëson. Po i përmbush pritshmëritë”, shtoi ai.
Dhe cili lojtar e ka impresionuar më shumë Shevchenkon këtë sezon?
“Modrici po më impresionon, po bën diferencën. Por si skuadër, Milani ende ka hapa për të bërë që të jetë në nivelin e Interit”, përfundoi Shevchenko\.