Lassana Diako gati për Struga Trim Lum: Rikthehem pas suspendimit

- Bota Sot

Lassana Diako gati për Struga Trim Lum: Rikthehem pas suspendimit

Ndeshja Struga Trim Lum - Rabotniçkit luhet të hënën.

“Ekipi është i gatshëm për të dhënë edhe njëherë tjetër më të mirën, me qëllim që nga Shkupi të rikthehemi me pikë të plota.

Pavarësisht situatës aktuale te skuadra kundërshtare, ndeshjet ndaj “romantikëve” gjithnjë kanë prodhuar shumë paqartësi, ashtu që duhet të jemi të kujdesshëm.

Ekipi për shkak pauzës ndërkombëtare kishte kohë të mjaftueshme, për t’u përgatitur për këtë ndeshje, thotë mesfushori difenziv, Lassana Diako”, thuhet nga FC Struga Trim Lum.

“Po, pushimi na bëri mirë, arritëm të rimbushim bateritë dhe tani jemi gati me ekipin për të marrë një rezultat pozitiv atje, me vullnetin e Zotit, kuptohet” – u shpreh fillimisht Lassana Diako, që deri më tani numëron 10 paraqitje me fanellën e Struga Trim Lum.

I njëjti rikthehet të luaj pas suspendimit prej dy ndeshjeve, pas kartonit të kuq që kishte marrë në ndeshjen kundër FC Shkupit.

“Po, rikthehem pas atij suspendimi. Kemi një skuadër të madhe, ekipi e kryen punën në çdo ndeshje, edhe nëse trajneri ndërron disa lojtarë në fushë, strategjia mbetet e njëjta, lojtarët e bëjnë punën dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.

Edhe unë do të përpiqem të bëj çmos për ta ndihmuar skuadrën në çdo rrethanë.” – deklaroi Diako, që gjithashtu për herë të parë foli edhe për kampionatin tonë.

“Sinqerisht, nuk është se dija shumë për këtë ligë. Është ndryshe nga Franca, por më pëlqen shumë dhe niveli i lojës është i mirë. Nëse do ta kisha ditur për këtë ligë më parë, do të kisha ardhur shumë më herët.” – tha Diako, që ka mbetur i impresionuar nga mikëpritja këtu në Strugë.

Ai thotë se me qytetin tonë të bukur ishte dashuruar që në shikim të parë.

“Sinqerisht, as që e kisha imagjinuar se do të isha kaq i lumtur këtu. Edhe familja ime ndihet si në shtëpi. Njerëzit janë mikpritës. Na bëjnë të ndihemi rehat, sikur të jemi këtu për një kohë të gjatë.

Është vërtetë dashuri me shikim të parë këtu në Strugë.” – vijoi Diako, që gjithashtu foli edhe për shanset e Struga Trim Lum për vetë kreun e tabelës së klasifikimit.

“Vetëm koha do ta tregojë, por tani jemi konkurrentë serioz, përpiqemi gjithmonë të fitojmë çdo ndeshje. Shpresoj të arrijmë në majë, me vullnetin e Zotit, dhe me disa surpriza të mrekullueshme.” – përfundoi intervistën e tij, Lassana Diako, i cili për herë të parë po luan jashtë Francës, aty ku ishte rritur dhe ndërtuar si futbollistë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot