Shkëndija e Tetovës nuk shkoi sipas planit në xhiron e 14-të, pasi dolëm të mundur 3:0 në transfertën me Arsimin në Gostivar.
Shkëndija nuk mundi të shfrytëzojë disa raste në pjesën e parë, derisa në të dytë vendasit shënuan tre gola (Shefiti 46’, Taipi 49’ dhe Jahiji 75’) për fitore dhe tre pikë nga ky duel.
Jeton Beqiri, kryetrajner i kuqezinjve, tha: “Ishte një paraqitje normale në pjesën e parë, kishim disa raste të pastërta për shënim.
Ndërkohë ajo që ndodhi në pjesën e dytë, ishte shumë zhgënjyese, në momente të veçanta edhe e turpshme, mos të them edhe skandaloze nga ana jonë. Nuk mund ta shpjegoj për momentin humbjen, duhet të bëjmë analiza.
Bëmë aq shumë gabime në mbrojtje, ishte një ditë e keqe dhe shumë e zezë, me një paraqitje shumë të dobët nga ana jonë.”
Qasja…
Jeton Beqiri: “Mendoj që e kishim përgatitur ndeshjen dhe ishim shumë serioz, pasi e dinim se do të jetë një ndeshje e vështirë nga shumë rrethana dhe arsye tjera. Mirëpo nuk ka asnjë arsyetim që ne ta humbim në këtë mënyrë.
Duhet të ulemi, të analizojmë, të reflektojmë dhe normalisht nga unë i pari të marr përgjegjësinë, pasi unë jam ai që duhet ta marr këtë përgjegjësi.
Duhet të bëjmë analizë dhe shumë e rëndësishme është që Shkëndija të reagojë fuqishëm nga ndeshja e ardhshme.”
Rastet e humbura…
Jeton Beqiri: “Unë mendoj se nëse shënonim të parët do të ishte histori totalisht tjetër e ndeshjes.
Në këto situata, në këto ndeshje ku ka presion nga ekipi kundërshtar, shumë e rëndësishme është që të shënosh dhe normalisht pastaj ndeshja do të kishte marrë kahje tjetër.
Por, unë asnjëherë s’dua të kërkoj alibi, totalisht faji është i joni dhe i imi. Ju kërkoj ndjesë tifozëve dhe përkrahësve të Shkëndijës për këtë humbje, pasi është një humbje e turpshme nga ana jonë. Unë shpresoj se Shkëndija do të jetë aq e fortë dhe do të kthehet me rezultate të mira në ndeshjet në vazhdim".