Trajneri i Flamurtarit, Françesko Moriero, u shpreh i kënaqur me performancën e pjesës së parë në përballjen me Tiranën, duke theksuar se skuadra e tij luajti një nga pjesët më të mira këtë sezon.
“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, krijuam 2-3 raste për të shënuar dhe mbajtëm ekuilibrin deri në minutën e 75′.
Pastaj na ranë pak fuqitë. U përpoqa të ruaja balancën, por më vjen keq që nuk fituam. Duhet të shohim përpara,” tha italiani.
Ai theksoi se ndeshja ishte e ekuilibruar dhe normale që të krijoheshin raste nga të dyja palët.
Problemet fizike dhe mungesat e disa lojtarëve kyç, si Bolzan, Luço dhe Trashi, ndikuan në vazhdimësinë e performancës. “
Pjesën e parë e bëra shumë të mirë, por në të dytën ra fuqia jonë fizike. Gjithashtu, Zhoao erdhi dje në darkë dhe nuk mund ta përdorim. Vendosëm një skemë 5-4-1 bazuar te lojtarët që kishim në dispozicion,” shtoi Moriero.
Trajneri nënvizoi rëndësinë e përkushtimit dhe luftës për mbijetesë: “E di çfarë do të thotë të luftosh për mbijetesë. Sot kemi bërë një nga pjesët e para më të mira, por na kanë munguar disa lojtarë që bëjnë diferencën. Ndeshja mbaroi dhe tani shohim përpara.”
Me këtë barazim, Flamurtari vazhdon të qëndrojë në vendin e parafundit, por performanca e pjesës së parë tregon se skuadra ka potencial për të luftuar për pikët e mbijetesës në ndeshjet e ardhshme.