Kremlini refuzon planin evropian për armëpushimin në Ukrainë: Nuk na shërben, është jo konstruktiv

- Bota Sot

Kremlini refuzon planin evropian për armëpushimin në Ukrainë: Nuk na shërben, është jo konstruktiv

Kremlini deklaroi sot se kundërpropozimi i evropianëve ndaj planit amerikan të paqes me 28 pika për Ukrainën është plotësisht jokonstruktiv dhe nuk i përshtatet fare Moskës.

Publikimi i planit amerikan kishte shkaktuar shqetësim të madh në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane, sepse dukej se Uashingtoni i kishte pranuar pothuajse plotësisht kërkesat kryesore ruse lidhur me NATO-n, territoret dhe afatet e çdo marrëveshjeje paqeje.

Sipas një dokumenti të parë nga agjencia Reuters, versioni evropian ndryshon thelbësisht kuptimin dhe peshën e pikave kyçe për NATO-n dhe territoret.

“Plani evropian, me një vështrim të parë… është krejtësisht jokonstruktiv dhe thjesht nuk na vlen”, u tha gazetarëve në Moskë këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov.

Kujtojmë se ditën e premte presidenti Vladimir Putin kishte thënë se propozimet amerikane mund të shërbejnë si bazë për zgjidhjen e konfliktit, por nëse Kievi i refuzon, forcat ruse do të vazhdojnë të avancojnë.

Ushakov shtoi se jo të gjitha, por shumë nga pikat e planit amerikan na duken mjaft të pranueshme, duke nënvizuar megjithatë se disa prej tyre duhet të diskutohen më në hollësi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot