Një anketë e kompanisë franceze Odoxa ka treguar për herë të parë se lideri 30-vjeçar i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, do të fitonte zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027, pavarësisht se kush do të ishte kundërshtari i tij.
Bardella, aktualisht president i partisë Rassemblement National (RN) dhe pasardhësi i Marinë Le Pen, do të dilte fitues edhe sikur zgjedhjet të mbaheshin këtë javë, sipas anketës së kryer më 19-20 nëntor në një mostër prej 1.005 votuesish.
Në varësi të kundërshtarit në raundin e parë, Bardella do të merrte 35-36% të votave dhe do të mundte çdo rival në balotazh.
“Për fat të keq për Jordan Bardella-n dhe mbështetësit e tij, dhe për fat të mirë për të gjithë të tjerët, të jesh favorit i madh muaj apo vite para zgjedhjeve presidenciale nuk garanton fitoren”, thekson Odoxa në raportin shoqërues të anketës.
Në të kaluarën, si Marinë Le Pen ashtu edhe babai i saj Jean-Marie Le Pen u mundën tri herë në balotazh falë koalicioneve të gjera anti-ekstremiste.
Aktualisht, Marinë Le Penit (57 vjeçe) i është ndaluar për pesë vjet të kandidojë për poste publike, pasi në mars një gjykatë e shpalli fajtore për shpërdorim fondesh së bashku me disa anëtarë të tjerë të partisë. Ajo ka bërë ankim kundër vendimit.
Me Bardella-n që tashmë e ka kaluar në popullaritet Le Pen-in, ai shihet si kandidati natyral i RN-së nëse ndalimi i saj mbetet në fuqi.
Në skenarët e testuar nga Odoxa, Bardella mundte bindshëm Jean-Luc Melenchon-in (74% kundrejt 26%) dhe Edouard Philippe-in (53% kundrejt 47%). Marzhi i gabimit të anketës është +2.5 pikë përqindje.
Vetëm pak javë më parë, një anketë tjetër tregonte se Bardella do të humbiste me diferencë të vogël pikërisht ndaj Philippe-it.