Një grabitje e dhunshme ndodhi të hënën, më 24 nëntor, në Cachargs, pranë Nimes në Francën jugore, ku tre burra hynë me forcë në shtëpinë e një biznesmeni 56-vjeçar, të cilin e kishin ndjekur dhe kërcënuar më parë me armë.
Sipas mediave franceze, pronari i kompanisë së pajisjeve mjekësore po kthehej nga zyra rreth orës 19:00, kur tre grabitës të veshur me të zeza dhe me kapuçë, hipën në makinën e tij luksoze dhe e kërcënuan me armë.
Më pas, ata e detyruan të hynte në shtëpi dhe e mbajtën aty kundër vullnetit të tij, duke e rrahur.
Në banesë, grabitësit ndaluan edhe djalin 22-vjeçar të biznesmenit.
Nën kërcënimin e armës, viktimat u detyruan t’u dorëzonin grabitësve rreth dhjetë orë dore, me vlerë rreth një milion euro, tre unaza, një byzylyk markë dhe celularët. Biznesmeni tregoi se sulmuesit e spërkatën me zbardhues përpara se të largoheshin me automjetin e tij.
Djali i dytë i familjes, 19 vjeç, i cili ishte fshehur brenda shtëpisë, njoftoi autoritetet pasi dëgjoi të atin duke u sulmuar. Kur policia mbërriti, biznesmeni kishte lëndime në kokë.
Pak më vonë, automjeti i 56-vjeçarit u gjet i djegur në një rrugë pranë Nimes. Sipas autoriteteve, grabitësit e braktisën makinën dhe u larguan me një automjet tjetër, duke shpëtuar nga vendngjarja.