Pas më shumë se një muaji pa asnjë minutë në fushë, Nedim Bajrami më në fund u rikthye të luajë me Rangersin.
Aktivizimi i tij i fundit datonte më 5 tetor, ndërsa në katër ndeshjet e fundit 26-vjeçari kishte qëndruar në stol ose në tribunë.
Në sfidën e fituar 2-1 ndaj Livingston, Bajrami u fut në lojë në minutën e 64-t, duke zhvilluar ndeshjen e tij të parë nën drejtimin e trajnerit Dani Rohl, i cili ka vetëm shtatë ndeshje në krye të ekipit.
Pas takimit, tekniku gjerman dha sinjale pozitive mbi të ardhmen e fantazistit shqiptar, duke lënë të hapur mundësinë që situata e tij të marrë një kthesë të favorshme, ndryshe nga sa dukej vetëm pak javë më parë.
“Ai e priste këtë mundësi. Disa lojtarëve u duhet një moment i tillë për të treguar se kur mund të na japin kontribut. Gjatë pushimit të kombëtareve patëm një ndjesi të mirë për të. Nedimi pati momente pozitive, tregoi shpirt gare,” deklaroi Rohl.
Trajneri vlerësoi edhe zgjuarsinë në pasime të Bajramit: “E ndjeva se bëri pasime të mira, shumë të menduara. Është një hap i vogël, por i rëndësishëm. Tani duhet të vazhdojmë”.