Shihet si e ardhmja te Shqipëria, Interi i rinovon kontratën lojtarit

- Bota Sot

Shihet si e ardhmja te Shqipëria, Interi i rinovon kontratën lojtarit

Klubi i Interit ka bërë publik vendimin për të rinovuar kontratën me portierin e talentuar shqiptar, Alain Taho, i cili shihet si një nga emrat e të ardhmes te zikaltrit, e padyshim edhe te Shqipëria.

“FC Internacionale Milano komunikon se ka arritur një akord shumëvjeçar për zgjatjen e kontratave të Matia Zanketa, Xhamal Idrisu dhe Alain Taho”, shkruhej në njoftimin e publikuar nga klubi zikaltër, që bënte të ditur kështu se edhe portieri shqiptar ishte mes atyre që do të vazhdonin të mbeteshin pjesë e klubit për një periudhë të gjatë.

Taho ka spikatur në akademinë e Interit, duke përfaqësuar zikaltrit në aktivitetet kombëtare të moshave e se fundmi edhe në UEFA Youth League.

Portieri gjithashtu ka shërbyer në disa ndeshje si i tretë në pankinë për ekipin e parë te zikaltrit në vitin e fundit, sinjal i qartë se te Interi kanë besim te aftësitë e tij, ndaj ka ardhur edhe ky rinovim kontrate.

Djaloshi ndërkohë është prej vitesh pjesë e Kombëtareve të moshave, teksa e ka nisur me U16, për të provuar me radhë edhe fanellën e U17, U19 e së fundmi U21. Ai shihet si një nga elementët e perspektivës të portës kuqezi dhe lajmi se do të jetë edhe në vijim pjesë e Interit, padyshim është diçka e mirë për zhvillimin e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot