FSHF më në fund ka zgjidhur dilemat që kishin mbetur për një ndeshje të kësaj fundjave në Kategorinë Superiore, pasi kishte lënë gjithçka në ajër sa i përket përballjes Tirana-Egnatia.
Ndeshja në fjalë ishte planifikuar të luhej më datë 29 nëntor, por nuk kishte as një orar dhe as një stadium të caktuar për duelin mes dy skuadrave që luajnë për objektiva krejtësisht të ndryshëm.
“Panorama Sport” ka mësuar nga burime në FSHF se është caktuar stadiumi “Selman Stërmasi” si ai në të cilin do të zhvillohet dueli në fjalë me bardheblutë si pritës.
Në impiantin në fjalë nuk luhen ndeshje nën ndriçimin artificial, ndaj sfida në fjalë do të nisë në orën 13:30, paralelisht me atë mes Bylisit dhe Dinamos në Ballsh.