Cristian Chivu, optimist para sfidës Atletico Madrid – Inter

- Bota Sot

Cristian Chivu, optimist para sfidës Atletico Madrid – Inter

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka folur sot në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së rëndësishme të së mërkurës kundër Atletico Madrid, që do të zhvillohet në “Wanda Metropolitano”, e vlefshme për javën e pestë të fazës unike të Champions League.

Chivu u ndal fillimisht te humbja në derbi, duke theksuar se skuadra e tij kishte bërë shumë gjëra mirë.

“Bukuria e futbollit është se gjithmonë të jep mundësinë për revansh. Në derbi vumë cilësi dhe vendosmëri, por ndoshta na mungoi pak qartësi dhe pak fat.

Nesër na pret një ndeshje shumë e rëndësishme në Champions dhe e dimë sa e vështirë është të luash në fushën e tyre.”

Trajneri rumun pranoi se Interi ka vuajtur këtë sezon në përballjet direkte.

“E marr me vete pjekurinë, qëndrimin dhe cilësinë që kemi treguar. Dëshira për të qenë gjithmonë proaktivë, me topin apo pa top, është rritur dukshëm. Përtej fitores kundër Romës, kemi marrë shumë pak pikë në sfidat direkte, por unë jam i besueshëm.”

Chivu shpjegoi se jo të gjitha humbjet kanë qenë të njëjta, duke veçuar ndeshjen kundër Milanit.

“Humbjet nuk janë të gjitha njësoj. Në disa ndeshje si kundër Juves, Napolit dhe Romës kemi lëshuar më shumë.

Ndërsa kundër Milanit zhvilluam një lojë solide. Kjo më bën të reflektoj: nuk është humbje si të tjerat. Kemi shtuar diçka, por nuk mjaftoi. Duhet të punojmë për të thyer tabunë e ndeshjeve direkte.

Skuadra është gjallë dhe ka dëshirë të rikthehet në nivele të larta.”

Trajneri i zikaltërve e cilësoi ndeshjen si jashtëzakonisht të rëndësishme.

“Është një ndeshje e rëndësishme e Champions League. Kemi marrë 12 pikë, por asnjë prej ndeshjeve nuk ka qenë e lehtë. Nesër nuk do të jetë aspak më e thjeshtë.”

Chivu tha se nuk ndien as inferioritet e as superioritet ndaj emrave të mëdhenj si Diego Simeone.

“Nuk ndihem as më i mirë as më i dobët se ata. Kam përvojën time dhe respektoj të gjithë trajnerët e mëdhenj, por nuk shoh asnjë arsye për krahasime.”

Aktualisht, Interi është me pikë të plota (12) dhe një fitore ndaj Atletico Madridit do ta çonte shumë pranë objektivit për t’u renditur mes tetë ekipeve më të mira të kompeticionit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot