Në fillim të sezonit, emri i Estevão Willian Almeida de Oliveira Gonçalves, lindur në vitin 2007, dukej si një tjetër blerje e shtrenjtë në listën e pafund të merkatos së Chelsea-t. I ardhur nga Palmeiras në pranverën e vitit 2024 për rreth 45 milionë euro dhe i firmosur zyrtarisht në korrik me një kontratë gjigante që skadon në qershor 2033, shumëkush e shihte si një tjetër talent brazilian ende të papjekur, i destinuar të humbiste mes konkurrencës së ashpër, si Endrick te Real Madrid apo Andrey Santos vetë te Chelsea.
Por historia e tij nisi ndryshe. Estevao arriti të bindë trajnerin Maresca që nga dita e parë dhe u ngjit me shpejtësi në hierarki.
Më 4 tetor, duke hyrë si zëvendësues, shënoi golin e tij të parë në Premier League, vendimtar për fitoren 2-1 kundër Liverpool-it në minutat shtesë. Më 22 tetor goditi sërish, këtë herë në Champions League, në fitoren 5–1 ndaj Ajax-it, duke u bërë golashënuesi më i ri i Chelseat në këtë kompeticion.
Në kampionat, minutat e tij menaxhohen me kujdes, por në Europë ka qenë titullar në tre ndeshjet e fundit. Ka shënuar edhe kundër Qarabagut, e më pas kundër Barcelonës, në sfidën më të rëndësishme të fazës së parë të sezonit.
Përballja me Lamine Yamal u fitua bindshëm nga braziliani, i cili vulosi ndeshjen me një goditje të fuqishme nën traversë pas një aksioni personal, pavarësisht se Chelsea luajti me një lojtar më shumë që nga fundi i pjesës së parë. Rezultati final: 3–0 për Bluve, dhe Estevao sërish protagonist.
Që në Botërorin U-17 të vitit 2023, pas dy golave ndaj Ekuadorit, disa nisën ta quanin “Messinho”, por ai ka ruajtur gjithmonë thjeshtësinë dhe qetësinë.
Maresca e përshkroi si “lojtar të shkollës së vjetër”, që nuk e pëlqen vëmendjen dhe rrjetet sociale.
Edhe profili i tij në Instagram është krejtësisht sportiv, vetëm foto nga fusha dhe pa asnjë ekspozim të jetës private.
Chelsea beson se ai do të arrijë majat dhe Palmeiras e ka ditur mirë këtë. Në marrëveshjen e shitjes, brazilianët futën një klauzolë të veçantë: nëse Estevao fiton Topin e Artë deri në vitin 2033, klubi do të marrë edhe 4 milionë euro të tjera.