Veç kryesimit në Premier Ligë, Arsenali synon që të vazhdojë të mbajë kreun e renditjes edhe në Ligën e Kampionëve. Por për ta bërë këtë duhet të kalojë sonte një nga skuadrat më në formë, si Bajerni i Mynihut, që ndan kreun me “Topçinjtë”, të cilët qendrojnë përpara vetëm prej golaverazhit.Mikel Arteta i vlerësoi shumë bavarezët, në formë të shkëlqyer.
“Bayern është në një moment të shkëlqyer. Niveli i qëndrueshmërisë, rezultateve dhe performancave që po tregojnë çdo javë është shumë mbresëlënës.
E dimë këtë, por është gjithashtu një mundësi e madhe për ne që të tregojmë se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Jemi përgatitur mirë, edhe sepse e dimë rëndësinë e ndeshjes. Jemi në një pozicion vërtet të favorshëm dhe duam ta ruajmë atë.
Kemi një ndeshje të bukur dhe shumë impenjative që na pret”, tha fillimisht tekniku spanjoll. Sa i takon Bajernit, ai pranoi se “ky është lloji i kundërshtarit që duam të përballemi. Pikërisht këto janë ndeshjet që dëshirojmë t’i luajmë në këtë kompeticion. Kemi qenë shumë të qëndrueshëm në të dy kompeticionet, edhe ata kanë qenë të qëndrueshëm. Është një provë e mirë për ne”, tha trajneri i Arsenalit. Arteta, ka thënë se skuadra edhe ndaj gjermanëve në Champions, duhet ta tregojë të njëjtin ritëm dhe agresivitet si në ndeshjet e fundit, për të vazhduar serinë positive. Arsenali dhe Bajern e kanë filluar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, me nga dymbëdhjetë pikë të grumbulluara në katër ndeshjet e para të Fazës së Ligës.
Mbrojtësi i gjithanshëm i klubit të Londrës Veriore, Timber, ishte po aq plot admirim për sfidën me Bajernin: “Edhe nëse nuk do të ishte sfida që vendos ekipin e parë kundër vendit të dytë, Bajern Mynih është një klub i madh. Ata kanë një ekip të shkëlqyer, lojtarë të shkëlqyer, trajner të shkëlqyer. Do të jetë një ndeshje e vështirë.
Të dyja ekipet duan të bëjnë presion, duan të luajnë. Do të jetë një ndeshje emocionuese edhe për tifozët”, shtoi ai, teksa londinezët e Arsenal janë të motivuar pas fitores së madhe në derbin kundër Totenhem, teksa kanë 15 ndeshje pa humbje në të gjithë kompeticionet.