Dy sfida me Lazion dhe titulli për Superkupën

- Bota Sot

Dy sfida me Lazion dhe titulli për Superkupën

Milanit të Massimiliano Allegrit i duhet të kalojë një dhjetor të ngjeshur e vendimtar, me dy duele kundër Lazios dhe gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Napolit. Muaji i fundit i vitit mund të përcaktojë ambiciet reale të kuqezinjve në kampionat dhe objektivat sezonalë.

Dhjetori pritet të jetë një muaj thelbësor për Milanin e Massimiliano Allegrit. Nga dy sfidat kundër Lazios, te titulli  për Superkupën italiane që zhvillohet në Arabinë Saudite, kuqezinjtë do të luajnë një pjesë të madhe të së ardhmes së tyre sezonale

Pa angazhime europiane, këto ndeshje marrin peshë të dyfishtë: ose brenda objektivave, ose jashtë tyre.

Bilanci i Milanit kundër skuadrave të mëdha është thuajse perfekt. Nën drejtimin e Allegrit, kuqezinjtë kanë mposhtur Romën, Napolin, Interin dhe Bolognan, ndërsa kanë marrë një pikë jashtë fushe kundër Juventusit.

Vetëm një gol i pësuar në pesë sfidat, dhe ai me penallti ndaj Napolit – pavarësisht se pjesën e dytë e luajtën me dhjetë lojtarë.

Mbështetur edhe te pritja vendimtare e Maignan kundër Calhanoglu, mbrojtja ka treguar një soliditet të jashtëzakonshëm ndaj sulmeve më të rrezikshme të kampionatit.

Lazio është një test i ri, ndryshe nga ndeshjet ku Milani është hasur në vështirësi kundër ekipeve të vogla. Përballë bardhekaltërve, kuqezinjtë duhet të mbrohen fort, të shfrytëzojnë shpejtësinë në kundërsulme dhe të tregojnë kompaktësinë që i ka karakterizuar.

Vetëm pesë ditë pas sfidës së kampionatit, Milanit i duhet të luajë përsëri ndaj Lazios, këtë herë në transfertë, për një vend në çerekfinalet e Kupës së Italisë – një nga objektivat kyç të sezonit.

Më 18 dhjetor vjen ndeshja tjetër pa kthim: gjysmëfinalja e Superkupës italiane kundër Napolit. E në finale, më 22 dhjetor, nëse do kalojnë do të përballen me fituesin e çiftit Inter–Bologna.

Kuqezinjtë e mbyllin vitin më 28 dhjetor kundër Veronës në “San Siro”, pas dy ndeshjeve të ndërmjetme me Torinon dhe Sassuolon.

Dhjetori do të tregojë nëse Milani është gati të synojë titullin. Skuadra ka humbur vetëm një herë këtë sezon – ndaj Cremoneses – dhe ka lënë pas emergjencën e dëmtimeve. Tani, fjala i takon fushës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot