Kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka bërë thirrje Nigel Farage të kërkojë falje ndaj ish-nxënësve të shkollës, të cilët pretendojnë se lideri i Reformës i ka fyer në baza racore gjatë kohës kur ndiqnin kolegjin Dulwich.
Javën e kaluar, Guardian publikoi dëshminë e Peter Ettedgui, i cili tha se 13-vjeçari Farage “i afrohej dhe i thoshte: ‘Hitleri kishte të drejtë’ apo ‘gazojini’”, shpesh duke imituar zhurmën e dhomave të gazit.
Në seancën e pyetjeve në parlament, Starmer tha se sqarimet e Farage janë “të pakënaqshme”, duke shtuar se “çdo nxënës hebre do të tronditej nga një veprim i tillë”. Ai i kërkoi Farage të kontaktojë personat e prekur dhe t’u kërkojë falje, transmeton KosovaPress.
Farage fillimisht mohoi se kishte “qëllim” të lëndonte dikë për shkak të racës apo fesë, por më vonë deklaroi se “kategorikisht nuk ka thënë” ato që janë raportuar rreth tij kur ai ishte 13-vjeç. Ai i hodhi poshtë akuzat edhe në një intervistë për GB News.
Shtatë persona kanë thënë se mbajnë mend abuzimet e drejtuara ndaj Ettedgui, sot regjisor fitues i çmimeve Emmy dhe Bafta. Sipas gazetës, rreth 20 persona kanë konfirmuar ose rrëfyer sjellje të ngjashme raciste nga Farage gjatë viteve të shkollës.